Shqipëria është në rrugën e duhur për të përfituar liberalizimin e vizave. Kështu është shprehur zv/ Drejtorit i Përgjithshëm për Migracionin, Azilin dhe Kufijtë në Komisionin Europian Zhan Lui De Brouëer gjatë një takimi të zhvilluar me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e jashtëm, Ilir Meta. Sipas zyrtarit europian, qeveria shqiptare gjate muajve te fundit ka bere ne progres të dukshëm në rrugën e reformave që duhet të përmbushen për t’u arritur lëvizja e lirë e qytetarëve.

Zhan Lui De Brouwer: “Qeveria shqiptare në muajt e fundit ka bërë një përparim të dukshëm për sa i përket punës së bërë për të përmbushur kërkesat e Bashkimit Evropian për të bërë të mundur liberalizmin e vizave. Janë përgatitur plane veprimi, janë hartuar ligjet e nevojshme ndërsa konstatoj se po ecet mirë dhe me procesin e prodhimit dhe pajisjes së shtetaseve me pasaportat biometrike. Kërkohet të vijohet më tej me këtë ritëm për këtë arsye kërkohet miratimi dhe zbatimi i legjislacionit siç është ligji për konfiskimin e pasurive.”

Optimist për ecurinë e deri tanishme,  zyrtari Komisionit Evropian thotë se raporti që qeveria shqiptare do të dorëzoj në mesin e nëntorit në Bruksel ku janë të renditura hapat që ka ndjekur deri më tani qeveria për përmbushjen e standardeve të kërkuara duket se do të jenë vendimtar për lëvizjen pa viza drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Zhan Lui De Brouwer: “Procesi është transparent.  Të dyja palët e dinë kush janë standardet për tu përmbushur, me plotësimin e tyre do të jemi të gatshëm të përcaktojmë dhe hapat e  mëtejshme si dhe kohën e veprimit.”

Në 20 –vjetorin e rënies së murit të Berlinit për zv. kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm Ilir Meta, liberalizimi i vizave për qytetaret shqiptare do te shënonte një rënie te 2 –të të kësaj barriere me Bashkimin Europian.

Ilir Meta: “Ne vlerësojmë shumë angazhimin e Bashkimit Europian dhe të Komisionit Europian për t’i dhënë mundësi vendit tonë që të hyjë në këtë dialog shumë intensiv për liberalizimin e vizave. Mund të them me bindje që qeveria konsideron si një aksion jashtëzakonisht të rëndësishëm i cili ka shënuar një progres tepër të dukshëm.”/tvklan.al