Debate të ashpra kanë ndezur këshillin bashkiak të Tiranës gjatë prezantimit të buxhetit për vitin 2009 nga kryebashkiaku Edi Rama.  Në bazë të rendit të ditës Rama prezantoi planet për vitin e ardhshëm duke u fokusuar në investimet në infrastrukturë, pastrim dhe arsim.

Edi Rama: “Infrastrukturën rrugore e kemi projektuar një fond prej 5.8 miliard lekësh, duke ndërhyrë në akset kryesore të lëvizjes në qytet dhe veçanërisht në unazat e qytetit, një fond prej 5.2 miliard lekësh për sa i takon shërbimeve publike ku theksi është vënë fuqishëm në shërbimin e largimit të mbeturinave. Kemi projektuar një fond prej 1.3 miliard lekësh për arsimin para universitar”.

Buxheti i hartuar nga bashkia nuk u mirëprit nga këshilltarët e djathtë dhe përfaqësues të LSI-së, të cilët drejtuan një sërë pyetjesh për kryetarin e bashkisë, deri në momentin që Rama vendosi të largohet duke ndezur një debat mes këshilltarëve.

Flamur Noka: “Kemi 3 buxhete që kalojmë këtu, në 3 buxhete na jeni ngritë si triumfatorë zoti kryetar duke na thënë që… pyetje, pyetje do të bëj. Po pyetje pse, pse çështja e triumfit të djeg…

“Mos e bëni, ju lutem, jo me replika, ju lutem zoti Flamur pyetjen të lutem që të.. se ka dhe koleg të tjerë që duan të pyesin”.

Flamur Noka: “E keni thënë si triumfatorë që do.. se ju i dashuroni romët, e keni thënë si triumfator që do të ndërtoni shkollën e romëve. Që në 2007 dhe në 2008 dhe dje më duket se çuat nënkryetaren tuaj për të inauguruar ato që sigurisht suvaja do të bie si Sami Frashëri shumë shpejt”.

Edi Rama: “Kryetari i Këshillit bashkiak e ndjen veten në lartësinë e sfidës suaj. Unë nuk e ndjej veten në lartësinë e sfidës suaj dhe nuk kam asnjë mundësi t’ju përgjigjem. Faleminderit!”.

Gent Strazimiri: “Zoti kryetar, të lutem shumë njoftoje këtë zotërinë hokatar që bëri shaka deri tani që buxheti është një çështje shumë serioze dhe në qoftë se e ka diskutuar disa muaj dhe e paskan votuar 200 Petrita në çdo njësi bashkiake, njoftoje që këtë ditë sot duhet ta kishte kushtuar sqarimit të këshillit”.

Ferdinand Pone: “Nuk mund t’i përgjigjet drejt pyetjeve gënjen apo jo. Nuk mund t’i përgjigjet drejt pyetjeve të disa njerëzve në rastin tonë këshilltarë që kanë më shumë se guximin ta shikoj në sy t’i thonë kujdes se ti nuk je mirë”. 

Mbledhja e këshillit bashkiak pas largimit të Ramës ka vijuar me diskutime nga këshilltarët.

Monika Kryemadhi: “Gjithë administrata, gjithë administrata e bashkisë janë 3200 e ca punonjës. Pra gjithë kjo rritje e taksave e qytetarëve të Tiranës të nderuar koleg i shkon, 14% e kësaj ju shkon rrogave të tyre”.

Në bazë të ligjit buxheti i bashkisë për vitin 2009 duhet të miratohet brenda muajit dhjetor, për miratimin e tij duhen minimalisht 28 vota pro të këshilltarëve nga 53 që ka këshilli bashkiak./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami