15 Gushti në Lezhë i është përkushtuar emigrantëve në atë që njihet si Dita e Shtegtarit. Emigrantë që po kalojnë pushimet në vendlindje, qytetarë e turistë të shumtë u bënë pjesë e festës në sheshin “Gjergj Kastrioti”, që prej dy javësh është pagëzuar me emrin “Festë n’Shpi”.
Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, vlerësoi punën e palodhur të emigrantëve, ndërsa kjo festë vit pas viti po merr vëmendje dhe vlerësim maksimal ndaj tyre.
Më herët, kreu i Bashkisë, Ndreu priti në zyrën e tij dhjetra emigrantë të ardhur nga vende të ndryshme. Ai ndau me ta vlerësimet maksimale për sakrificën dhe kontributin që kanë dhënë në gjithë këto vite.
Në Lezhë, festa në shenjë respekti dhe vlerësimi për bashkëqytetarët emigrantë zgjati deri në orët e para të mëngjesit ndërsa në skenë performuan artistë nga Shqipëria dhe Kosova.
Klan News