Partia Socialiste ka mbledhur Asamblenë e saj Kombëtare. Në fillim të saj është mbajtur një minutë heshtje për vdekjen e deputetit Fatmir Xhindi. Gjatë asamblesë është diskutuar për kriteret të cilat duhet të përmbushin kandidatët për deputet të PS-së.
Të ketë besueshmëri në zonën ku do të kandidojë, të ketë integritet moral dhe politik, si dhe të jetë me arsim të lartë janë disa nga kriteret bazë që kandidatët duhet të përmbushin. Sipas kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama në 28 qershor do të ndodhi dhe ndryshimi i madh, ai nga largimi nga politika e vjetër.
Edi Rama: “Ne jemi këtu për të bërë gjithçka na takon që 28 qershori të jetë dita e ndarjes së madhe me një kapitull të vjetër e hapjes së një kapitulli të ri, ku ne së bashku me njerëzit do të shkruajmë një histori të re. Jemi këtu për të përfaqësuar njerëzit, se jemi këtu për të zgjidhur problemet e këtyre, se jemi këtu për të adresuar shpresat dhe ëndrrat e tyre.”
Kryesocialisti edhe njëherë tjetër është ndalur në procesin e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti. Në lidhje me këtë çështje Rama ka deklaruar se të gjithë do të rimbursohen pasi taksa e votës vetëm është ulur dhe jo hequr.
Edi Rama: “Përpjekja jonë e cila solli uljen e konsiderueshme të taksës së votës edhe pse nuk solli heqjen e plotë të saj duhet të kurorëzohet me plotësimin e të gjithë listave të njerëzve pa pasaportë në pikat e aplikimit për kartë ID. Ne do ta rimbursojmë edhe këtë taksë votë të mbetur pas fitores së zgjedhjeve të 28 qershorit.”/tvklan.al
Gazetar: Eno Luarasi