Lajme Arkiva 2003

Edi Rama ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me Shoqatën e Ndërtuesve. Në bazë të kësaj aktmarrëveshje, shoqatës së ndërtuesve shqiptar u sigurohet akses në burimet e informacionit të Bashkisë së Tiranës për të gjitha prokurimet që do të bëhen në fushën e ndërtimit.

Po në bazë të kësaj marrëveshje, Bashkia e Tiranës dhe Shoqata e Ndërtuesve do të marri një iniciativë të përbashkët ligjore për hartimin e një ligji të ri për urbanistikën.

Më pas Rama ka qenë në Pallatin e Kongreseve ku ka marrë pjesë së bashku me djemtë e grupit West Side Family, në provat për koncertin madh recital të mbrëmjes së sotme ku do të prezantohet albumi i tyre i ri “Jeta Shkon” dhe në të cilin kryebashkiaku do të ketë rolin e prezantuesit.

Paraditen e tij elektorale, Rama e ka mbyllur në një takim me punonjësit e fabrikës së këpucëve Tonjana.

Edi Rama: Unë jam jo vetëm krenar, por jam thellësisht mirënjohës, për faktin që në këtë përpjekje të përbashkët ka kaq shumë individë, qytetarë, qofshin qytetar të rritur e lindur në Tiranë, qofshin qytetar të ardhur në Tiranë gjatë viteve të tranzicionit, të cilët bashkërisht përbëjnë komunitetin e ri kryeqytetas, komunitetin që përballet me gjithë këto sfida të lirisë, me gjithë këto vështirësi dhe halle, por që e ndërton rrugën e vet, rrugën e të ardhmes së fëmijëve të vet, nëpërmjet punës së ndershme, nëpërmjet sakrificave dhe nëpërmjet vetëdijes së gjithçka e qëndrueshme dhe e shëndetshme, për një familje të vogël apo të madhe siç është familja kryeqytetase, bëhet me punë, me punë dhe vetëm me punë.

Pas fjalës së mbajtur përpara punonjësve të kësaj fabrike Rama ka shpërndarë librin e tij “Edi Rama për Bashkinë e Tiranës”, ku ka prezantuar punën e bërë gjatë 3 viteve të mandatit të tij si kryebashkiak./tvklan.al