Lajme Arkiva 2003

Dhjetë herë më i vogël nga sa i është kërkuar, është buxheti i dhënë Bashkisë Tiranë për investime në arsim. Kryetari i bashkisë ritërheq vëmendjen për ndryshimin e situatës së infrastruktutrës parauniversitare.

Fondi është i pamjaftueshëm dhe qesharak. Këtë herë nuk janë vetëm konstatime sipas Ramës, apo larje duarsh, por përgjegjësinë duhet ta ndiejnë të gjithë. Për të nuk është faji që duhet ta mbajë një person, por është mentaliteti.

Edi Rama: Ne kemi kërkuar vetëm 1.62 dhe duke pasur parasysh që kërkesa jonë është mjaft e arsyeshme në parashikimin për vitin 2004, na është akorduar një shumë 10 herë më e vogël se sa kërkesa jonë, e cila është ekzaktësisht 160 milionë Lekë, nga të cilat, 70 milionë janë për objekte në vazhdim. Dëshiroj të nënvizoj se së pari ne nuk do e pranojmë dhe do të bëjmë çmos për të nxjerrë në pah që shuma e akorduar është arbitrare dhe e pabazuar në asnjë argumentim financiar, profesional, politik, apo moral të qëndrueshëm dhe nga ana tjetër, dëshiroj të nënvizoj se kjo mënyrë e shpërndarjes së fondeve të buxhetit të shtetit është pikërisht ajo çfarë duhet të ndryshoj thellësisht, nëse dëshirojmë tu japim përgjigje pyetjeve të thella të qytetarëve dhe të mbajmë premtimet tona.

Kryetari i bashkisë në emër dhe të kryetarëve të shoqatës në rrethe kërkon sensibilizim për ringjalljen e infrastrukturës. Nevoja është e madhe ndërsa fondet janë të pakta./tvklan.al