Ndonëse qëndrimi i ndërkombëtarëve ishte i prerë në projektrezolutën e miratuar nga asambleja parlamentare e Këshillit të Evropës, ku i kërkoi opozitës t’i jepte fund bojkotit kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në një konferencë për shtyp ka deklaruar se do të vijojë me bojkotin dhe protestat në rrugë.
I palëkundur nga qëndrimi i tij kryesocialisti Rama deklaroi se pavarësisht kësaj mirëpret mbështetjen e ndërkombëtarëve për zgjidhjen e krizës që sipas tij fshihet në kutitë e 28 Qershorit.
Edi Rama: “Rezoluta e Këshillit të Evropës, e miratuar pak orë më parë është e qartë. Shqipëria është në krizë politike. Kriza për ne është brenda në kutitë e votimit. Ne jemi gati të dialogojmë qysh nesër për zgjidhjen e krizës, por ne nuk do të heqim dorë as nga bojkoti dhe as nga protestat pa u zgjidhur kriza. Mirëpresim njëkohësisht përfshirjen e miqve të partnerëve ndërkombëtarë në zgjidhjen e krizës, siç thotë edhe rezoluta. Beteja jonë për demokracinë vazhdon sot edhe me më shumë bindje e forcë se dje”.
Por kreu i socialistëve ashtu siç është bërë tashmë traditë në selinë rozë injoroi sërish t’i përgjigjet interesit të gazetarëve duke lënë pa përgjigje shumë pyetje, heshtje që mesa duket gjeti zgjidhje vetëm në projekt-rezolutën e KE-së që në mënyrë të drejtpërdrejt i bën thirrje opozitës të heqë dorë nga rruga e bojkotit./tvklan.al