Një film i bazuar në ngjarje të vërteta, i zhanrit dramë dhe romancë që eksploron një nga fenomenet më të pranishme të shoqërisë shqiptare, emigracionin. “Pasaporta” e Eduart Grishajt sjell një histori të plotë e të pasur, me dashuri e vështirësi dhe doza vërtetësie sepse siç shprehet në programin “Rudina” në Tv Klan, “dëshironte njerëz që nuk aktronin”.

Vetë xhirimet kanë qenë të vështira e sfiduese, në terren të panjohur e të largët si Meksika. Peshën e tyre s’e ka ndier vetëm regjisori, por edhe kasti që çdo ‘pakënaqësi’ e ‘ankesë’ të grumbulluar gjatë realizimit të projektit, ia shprehin sot publikisht dhe ‘s’lënë’ gjë pa thënë.

Indri Shiroka: Edi më ka çmendur! Më ka çmendur! “Teksti, teksi, teksti, hë a e di tekstin?” Po prit more burrë i thosha se kemi kohë boll, duke e lexuar jam, duke e përtypur, “jo, është e rëndësishme, duhet ta  dish tekstin”. Na ka kënaqur! Lëre mo xhirimet! Xhirimet nëpër aeroporte! Mbërrin nga 10 orë udhëtim në avion, thotë, “do të xhirojmë”. Çfarë të  xhirojmë?  “Ik e vishu në banjë, do të xhirojmë!” Po jam i lodhur. “S’ka gjë, hajt se i shërben rolit!” Nejse, na ka prurë shpirtin të dalë prej hundës, por ka një por e  dua shumë fort.

Kaona Matoshi: Përshëndetje Eduart! Po e bëj këtë video për  të thënë pak fjalë për ty dhe për punën me ty, të cilën e kam bërë me shumë kënaqësi, edhe pse ndonjëherë ke ditur të jesh pak i ashpër por besoj që ajo ashpërsia jote na ka nxjerrë më të mirën secilit aktor. Të përqafoj  shumë dhe të përshëndes!

Romir Zalla: Përshëndetje Rudinë! Kam kuptuar që ai Edi që duket aq i mirë, aq i urtë, si në ato fillimet e veta në filmin “Sofia”, në këtë film ka qenë shpërthyes, e ka çuar personazhin dhe shoqërinë në disa shtigje të rrezikshme! I tillë është Edi dhe unë tashmë jam në një pikë që mezi po pres që Shyqyriu të kalojë në filmin e tretë dhe ndoshta të shkojë në ca dimensione që vetëm në kokën e Edit mund të jenë të qarta.

Akil Varfi: Z. regjisor përshëndetje! Më kujtohet në fillim kur po bënim provat e filmit, si më the, më the “Akil, është super film! Do të xhirojmë në Meksikë, do të xhirojmë në Itali, do të xhirojmë në vendet më fantastike, në vende të bukura” dhe isha shumë entuziast. Kur erdhi skenari, të gjitha skenat e mia ishin në Baldushk. Ej Eduart, faleminderit shumë që më bëre të jem pjesë e projektit tënd. Jam shumë i lumtuur për projektin, por mbi të gjitha jam shumë i lumtur që pata mundësinë të të njoh nga afër.

Mateo Curri: Me thënë të drejtën, është shumë strikt, mua njëherë ma ka marrë shpirtin, ai s’të lë të marrësh frymë. Shyqyr e kam pasur skenën shumë shkurt se kush e kishte duruar tërë filmin! Edi, je i mrekullueshëm!/tvklan.al