Karriera dhe jeta e tyre ecin paralelisht e kimia s’mund të mungonte as në projektin e tij të radhës. Po flasim për regjisorin Eduart Grishaj i cili sapo ka sjellë filmin “Pasaporta”, premiera e të cilit ishte më 17 nëntor. Në këtë projekt, një rol episodik e rezervoi për njeriun e tij të zemrës, moderatoren Arbana Osmani.
Sigurisht, kjo ka pasur avantazhet e veta për regjisorin pasi siç shpjegon ai në “Rudina” në Tv Klan, nuk i është dashur ta paguajë, por Arbana Osmani si aktore nuk është aspak e lehtë.
Eduart Grishaj: Arbanën po mos ta kisha pasur grua, do të kisha pasur shumë dëshirë ta kisha marrë, por jam i sigurt që nëse do e kisha pasur grua nuk do të kishte ardhur sepse e para do të më kishte kërkuar shumë lekë dhe unë s’do kisha pasur mundësi për t’ia dhënë. Fati i mirë që unë e kisha grua dhe mund ta rregulloj me një mënyrë kleringu se lekë nuk mund t’i jap. Unë e kisha edhe te filmi tjetër. I thashë te ky film, zemër do të të marr dhe do të të jap një rol akoma më shumë, do ta bëjmë në studio, me publik, do të investohemi shumë më tepër te kjo. Më tha “dëgjo pse nuk merr”, më dha disa emra të tjerë. I thashë ty do të të kisha marrë nëse nuk do të të kisha pasur grua, por nëse mua tani më shkon mendja të marr emra të tjerë, ata duhet t’i paguaj, kështu që me ty do rregullohem, taksirat e ke, do të vish te kjo, do të rregullohemi mes vetes, brenda shtëpisë tonë. Jam shumë i lumtur, e bëmë rolin. Nuk është e lehtë fare të punosh me Arbanën për film, për televizion është shumë e lehtë por filmi ndryshon shumë nga televizioni. Ajo ka tendencën për të dalë nga skenari, ka tendencën për t’i thënë gjërat me fjalët e veta, thotë “ma trego idenë se flas vetë”, por kjo nuk funksionon te filmi sepse prish atë që vjen më mbrapa. Kishim ca përplasje të vogla, por në film nuk dallohen kështu që jemi mirë dhe të lumtur bashkë.
Për këdo që ka parë filmin, në të ka një dedikim të fshehur dashurie kur aktorët mësojnë se ditëlindjet e tyre janë në të njëjtën ditë. Arbana dhe Edi e kanë gjithashtu ditëlindjen në të njëjtën ditë dhe biseda në film është e njëjta me atë që është zhvilluar realisht mes tyre.
Eduart Grishaj: Fiks ajo biseda që ju keni parë në atë moment dhe gjithë të tjerët kanë parë, jam vetë me Arbanën. Është historia e vërtetë imja dhe Arbanës kur kemi biseduar herët e para dhe ra puna te ditëlindja sepse ne ndërkohë që bënim muhabet, kishim shumë lidhje dhe më tha “çfarë shenje je”, unë i thashë Demi dhe ngaqë unë bëja shaka, mendoi që nuk është e vërtetë dhe më tha t’i tregoja pasaportën. Unë u detyrova ti tregoja pasaportën, imagjinoje sa pak besim kishte tek unë dhe pastaj kur shikonte pasaportën, mendonte se nuk është e vërtetë dhe unë prandaj e kam futur te filmi./tvklan.al