Klaudio Prendi, ky 27-vjeçar që shihni në foto u ekzekutua me armë zjarri pak pas mesnatës së të hënës në zonën e njohur si “Porcelani” në Tiranë. Ai kishte qenë në shoqërinë e 3 miqve të tij, mes të cilëve dhe disa punonjës policie, në këtë lokal në rrugën “Xhanfize Keko”.
Ka dalë prej aty në orën 12 e 36 minuta pas mesnate. Sapo ka hipur në makinën e tij, që ishte parkuar para lokalit, në një stacion autobusi në rrugën kryesore, është qëlluar 7 herë me pistoletë me silenciator nga persona të paidentifikuar.
“I riu u dërgua me urgjencë në spital, por ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra”, raporton gazetari i Tv Klan Merin Maçi.
Kanë qenë miqtë e tij të cilët e kanë dërguar në Spital, me makinën e vetë viktimës, një Mercedes G Class.
3 dyshohet të kenë qenë autorët, njëri prej të cilëve ka luajtur rolin e qitësit. Pasi kanë qëlluar ndaj 27-vjeçarit Prendi, ata janë larguar me një automjet tip Audi me targa greke.
Siç rezulton nga hetimet e deritanishme, ata kanë ardhur nga zona e Freskut dhe e kanë pritur autorin të dalë nga lokali.
Pasi e kanë qëlluar, kanë lëvizur në drejtim të Farkës, duke kaluar nga Unaza e Madhe.
Në Farkë, e kanë braktisur mjetin dhe i kanë vënë flakën për të humbur gjurmët. Arma e krimit nuk është gjendur ende.
Hetuesit dyshojnë se ata kanë vëzhguar lëvizjet e Prendit dhe se mund të kenë pasur edhe bashkëpunëtorë të tjerë që kanë qenë pranë lokalit. Për të rindërtuar dinamikën e ngjarjes, grupi hetimor u rikthye sërish këtë të martë në vendin e ku ndodhi vrasja me qëllim mbledhjen e provave.
Hetuesit kanë sekuestruar pamjet e një sërë kamerash të sigurisë me qëllim identifikimin e autorëve, ndërsa në pyetje janë marrë disa persona.
Deri në këtë fazë, policia dhe prokuroria dyshojnë se vrasja mund të ketë ndodhur si pasojë e ndonjë konflikti. Por nga ana tjetër po verifikohet edhe nëse ngjarja ka lidhje me detyrën që ka mbajtur vite më parë babai i tij, Fran Prendi, ish-gjyqtar i Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, i dorëhequr në vitin 2020.
Klaudio Prendi nuk ishte një emër i panjohur për policinë. Në maj të një viti më parë ai u shpall në kërkim pasi qëlloi me armë në ajër në qytetin e Pukës.
Tv Klan