Enciklopedia skandaloze maqedonase do të pësojë vetëm ndryshime kozmetike, ndërsa botimi i parë nuk do të tërhiqet. Kështu vlerësoi redaktori përgjegjës i librit skandaloz, Blaze Ristovski, gjatë një intervistë me televizionin maqedonas A1 të zhvilluar në Shkup.
Arkitekti kryesor i botimit skandaloz, tha se në botimin tjetër duhen precizuar disa pjesë ku bëhet fjalë për shqiptarët.
Blaze Ristovksi: “Duhet të shtohet një apo dy fjalë për t’u precizuar pjesa ku shkruan për dyndjen e shqiptarëve në Maqedoni, sepse aty shkruan në shekullin e XVI duhet ta precizojnë, sepse e vërteta është se në Maqedoni kanë migruar njerëz edhe para kësaj, por autoktoniteti është diçka tjetër.”
Kreatori i enciklopedisë tha se pjesa ku përmenden SHBA-të dhe Britania e Madhe si trajnues të UÇK-së nuk do të ndryshojë.
“Këto vende duhet ta dëshmojnë atë që e thonë, por ky nuk është problemi ynë.”
Sipas akademikut maqedonas edhe termi shqiptari do të ndryshojë në shqiptarë, duke u shkruar në alfabetin latin. Me gomë sipas Ristovksit do të fshihet edhe epiteti i Ali Ahmetit, ku thuhet se është person kontrovers.
Akademiku maqedonas që njihet për ndjenja antishqiptare tha se nuk ndjen aspak përgjegjësi personale për botimin e enciklopedisë. Ai tha, se ishte vetëm redaktori i librit, ndërsa të tjerët e kanë shkruar atë./tvklan.al