Nga Dortmundi i Gjermanisë, gazetari Glendi Tafaj ka raportuar detaje nga stërvitja e kuqezinjve tanë për ndeshjen e radhës. Kjo e fundit do mbahet të Mërkurën, më 19 Qershor në Hamburg.
Kombëtarja shqiptare do jetë përballë Kroacisë, pas humbjes 2 me 1 me Italinë. Pavarësisht “disfatës”, opinioni italian për performancën e Shqipërisë dje në fushë është tejet pozitiv.
“Futbollistët italianë u dallua qartë se nuk e kishin nënvlerësuar kombëtaren shqiptare. Edhe në përfundim të takimit me komunikimet që pata, edhe me një ish-futbollist të Italisë siç është Daniele Adani. Vlerësoj shumë përfaqësuesen shqiptare tha me atë që kam parë, ka mundësi edhe për më tepër se kaq. Të përballet me Italinë si skuadër e barabartë. Ndërkohë legjenda e futbollit italian Alessandro Del Piero ka dhënë një intervistë ekskluzive për televizionin Klan, duke e vlerësuar maksimalisht kombëtaren tonë. Opinioni italian është jashtëzakonisht i mirë”, raportoi Tafaj.
Edhe raportet mes futbollistëve nga dy skuadrat janë mjaft të mira.
“Sa i përket marrëdhënieve, ka futbollistë shqiptarë që luajnë në Itali dhe në përfundim të takimit në zonën mikse të stadiumit ishin shumë dashamirës me njëri-tjetrin. U takuan, biseduan, bënë diskutime të shkurtra. Është marrëdhënie shumë e mirë.”
Rikujtojmë se çdo ndeshje e kompeticionit më të rëndësishëm sportiv të kontinentit, transmetohet falas në Tv Klan./tvklan.al