Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen e konsideron “shembull sukesi“ marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët.

Në një letër dërguar krerëve të vendeve anëtare para mbledhjes së të enjtes dhe të premtes të Këshillit Europian, Von der Leyen u bën thirrje atyre ta shfrytëzojnë si model për të zgjidhur krizat nga dyndja e emigrantëve të jashtëligjshëm.

Presidentja e KE-së propozon që edhe vende të tjera europiane të arrijnë marrëveshje dypalëshe për ngritjen e qendrave për përpunimin jashtë kufijve të Bashkimit Europian, të kërkesave të azilkërkuesve.

Në të njejtën linjë ishte edhe Kryeministrja italiane Giorgia Meloni. Në fjalën para Senatit italian këtë të martë, Meloni u shpreh e kënaqur për rezultatet pas vënies në punë të qendrave dhe falenderoi publikisht edhe Kryeministrin Edi Rama.

“Është një rrugë e re e guximshme, e paprecedentë. Pasqyron në mënyrën më të përkryer, frymën europiane dhe ka të gjitha gjërat që duhen për t’u provuar edhe me kombe të tjerë jashtë Bashkimit Europian. Falenderoj edhe një herë Kryeministrin Edi Rama dhe gjithë qeverinë e tij që besoi tek anët e mira dhe vlefshmëria e saj”.

Kjo marrëveshje pritet të jetë pjesë e diskutimeve në mbledhjen e të të enjtes dhe të premtes të Këshillit Europian.

Tv Klan