Më shumë se 50 mijë persona nga qyteti Augsburg në Gjermani janë evakuuar nga shtëpitë e tyre në saj të një operacioni për të çaktivizuar një bombë të Luftës së Dytë Botërore. Ky është evakuimi më i madh i kryer ndonjëherë në Gjermani për një bombë të pashpërthyer, që prej përfundimit të luftës.
Eksplozivi, që peshon 1.8 ton, mendohet të jetë hedhur nga bombardimet ajrore të britanikëve në 1944. Sulmet në atë kohë shkatërruan qytetin e vjetër.
Bomba është zbuluar për shkak të ndërtimeve që po kryheshin në zonë. Policia gjermane njofton se nuk dihet akoma sa do të zgjasë operacioni.
Mediat ndërkombëtare raportojnë se autoritetet kanë marrë masa të rrepta sigurie duke kryer evakuimin e çdo personi në një rreze prej 1.5 kilometrash.
Autoritetet gjermane bëjnë me dije se shumë persona të prekur kanë vendosur të qëndrojnë tek të afërmit e tyre. Por shumë shkolla dhe salla sportive janë përshtatur për të strehuar të evakuuarit.
Tv Klan