Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, ka akuzuar në mënyrë të drejtpërdrejtë, kryetarin e Bashkisë së Tiranë, Edi Rama për përfshire në korrupsion me lejet e ndërtimit. Ai ka sjellë fakte dhe emra konkretë që vërtetojnë implikimin e z. Rama në afera korruptive.

Sokol Olldashi: “Kryetari i Partisë Socialiste në programin që ka shpallur para një jave thotë që unë do të vazhdoj të luftoj korrupsionin. Si do ta kuptojë korrupsionin ky njeri, ndërkohë që ka akuza publike të cilave nuk i është përgjigjur kurrë dhe një e ka nga Hajredin Frangaj i ka kërkuar leje ndërtimi dhe në këmbim të ndërtimit i ka kërkuar 1 milion dollar dhe Hajredin Frangaj këtë gjë e ka thënë publikisht.”

Këto deklarata Olldashi i bëri gjatë një takimi që zhvilloi me banorë të komunave Aranitas, Gjerbes e Ngracan në rrethin e Fierit. Duke folur për investimet e kryera deri tani në  këtë rreth, Olldashi nënvizoi faktin se investimet arrijnë në 6 miliardë euro. Sipas tij grafiku i investime është dhjetë herë më i lartë se në vitin 2004 kur qeverisnin kundërshtarët e tyre politikë, socialistët.

Ai tha gjithashtu se Partia Demokratike që nga viti 2005 i ka shpallur luftë korrupsionit dhe rezulton se deri më sot janë eliminuar mbi 200 banda dhe janë vënë para drejtësisë 900 persona të përfshirë në  krime të ndryshme./tvklan.al