Ushtria izraelite nuk ndalet vetëm tek sulmet në Gaza dhe në Liban, por vijon goditjet edhe në një tjetër shtet. Këtë të enjte, Tel Avivi kreu sulme në kryeqytetin Damask. Shënjestër ishte lagja qendrore e Damaskut, Kafr Sousa dhe një vendndodhje ushtarake në fshatin Homs ku mbetën të vrarë një ushtar dhe u plagosën 7 të tjerë.

Autoritet siriane thonë se sulmet shkaktuan dëme materiale. Izraeli ka kryer sulme kundër objektivave të lidhura me Iranin në Siri për vite me radhë, por i ka intensifikuar që nga sulmi i vitit të kaluar në Izrael nga grupi militant palestinez Hamas, i cili shkaktoi luftën në Gaza.

Edhe forcat e armatosura libaneze kanë qenë objektiv i ushtrisë së Tel Avivit. Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin i tha homologut të tij izraelit se Uashingtoni është i shqetësuar për sulmet kundër ushtrisë libaneze. Ai i kërkoi Izraelit të ndërmarrë hapa për të garantuar sigurinë e ushtrisë libaneze dhe misionit paqeruajtës të OKB-së në Liban. Vetë SHBA është angazhuar në përpjekje diplomatike për të shuar konfliktin.

Fuqitë botërore po takohen në Paris me qëllim që të mbledhin të paktën 500 milionë euro ndihmë urgjente humanitare për Libanin dhe po kërkojnë për një armëpushim. Përveç kryeministrit në detyrë të Libanit, Najib Mikati ministrave të jashtëm të Libanit Abdullah Bou Habib, Analena Berbock të Gjermanisë dhe Kanadasë në konferencë do të jetë edhe përfaqësuesi i lartë të BE-së për Punët e Jashtme, Joseph Borell.

I dërguari special i Francës në Liban, Jean-Yves Le Drian paralajmëroi se nëse konflikti nuk ndalet, ekziston rreziku i luftës civile. Delegacionet do të përsërisin nevojën për të ndërprerë armiqësitë në bazë të rezolutës 1701 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 2006, e cila kërkon që Libani jugor të jetë i lirë nga çdo trupë apo armë, përveç atyre të shtetit libanez.

Klan News