Lideri i opozitës, Edi Rama, doli në një bashkëbisedim me mediat pak ditë përpara se presidenti Topi të iniciojë tryezën mes palëve.
Poshtë një tabele ku shkruhej “Shqipëria në krizë” arsyet e protestës për mese dy orë Rama nuk shpjegoi arsyet e vërteta të kësaj proteste, por u mundua të japë arsyet e uljes në dialog me kreun e shtetit.
Kjo nuk është hera e parë që kryetari i Partisë Socialiste bën dalje të tilla të sforcuara jon vetëm përpara evenimenteve të rëndësishme, por siç e kanë vërejtur tashmë edhe teleshikuesit një gjë e tillë ndodh sa herë në emisionin Opinion shfaqet lideri historik i Partisë Socialiste, Fatos Nano.
Ndonëse kryefjala e kësaj tryeze duhet të ishte protesta sipas logos së varur, e vetmja protestë që u bë në atë sallë ishte ndaj TV Klan dhe si rrallëherë në historinë botërore kryesocialisti Rama ka guxuar të thyejë çdo rekord ku për mese gjashtë muaj refuzon t’i përgjigjet interesit të gazetarëve të TV Klan, madje dhe atëherë kur pyetjet kanë të bëjnë me temën e tryezës për të cilën vetë Rama organizoi një bashkëbisedim me median.
Kjo është përgjigja me të cilën tashmë të gjithë jeni familjarizuar, ndonëse interesi jonë kishte të bënte me faktin se çfarë priste zoti Rama nga tryeza e bisedimeve me presidentin Topi në një kohë kur vetë kreu i shtetit ka deklaruar se hapja e kutive është anti-kushtetuese.
Edi Rama: “Pyetja vjen nga TV Klan. Unë për TV Klan kam një përgjigje me shumë dashuri. Të fala Sandrit.”
Konfuziteti i Ramës dukej qartë jo vetëm nga ajo çfarë shkruhej në tabelën sipër tij, por dhe në faktin se nuk la edhe eksponentë të tjerë të Partisë Socialiste që t’i përgjigjeshin pyetjes se përse ia kërkonte politikës dhe nuk ia kërkonin drejtësisë hapjen e kutive të votimit.
Edi Rama: “I do Sandri të falat dhe nga Vasilika, mjaftojnë të falat e mia?”
Ne gazetarët e TV Klan i bëjmë thirrje për herë të fundit kryetarit të opozitës që të bëjë detyrën e tij duke iu përgjigjur pyetjeve ashtu siç bëjmë dhe ne detyrën tonë.
E ftojmë të ushtrojë profesionin si politikan dhe të mos bazohet në marrëdhëniet emocionale qoftë me presidentin e medias tonë apo dhe presidentin e ndonjë kompanie tjetër.
Ne i bëjmë në të njëjtën kohë thirrje të gjithë organizmave kombëtarë dhe ndërkombëtarë që merren me lirinë e medias duke filluar që nga shoqatat e gazetarëve shqiptarë, OSBE-ja, ambasada amerikane në Tiranë si dhe nga përfaqësitë e tjera diplomatike të akredituara në Shqipëri që të bëjnë presionin e duhur demokratik ndaj liderit të opozitës, i cili profesionin e tij si politikan e lidh me marrëdhëniet e ngrohta ose të ftohta me pronarë mediash, cilët do qofshin këta.
Ne gazetarët e TV Klan i bëjmë gjithashtu thirrje socialistëve të përgjegjshëm që ndodhen në këtë parti e sidomos miqve të vjetër të medias si Namik Dokle, Dashamir Peza, Erion Braçe apo Endri Fuga që të bindin kryetarin Rama në mënyrë që t’i përgjigjet pyetjeve të TV Klan.
Ne i bëjmë gjithashtu thirrje analistëve të njohur që janë sensibël ndaj lirisë së medias, si Fatos Lubonja, Andrea Stefani e Mustafa Nano që të përdorin të gjithë kapacitetin e tyre intelektual për të ndrequr këtë deformim aspak demokratik.
Duke mos na shkuar ndërmend të bojkotojmë Partinë Socialiste siç bën Rama me parlamentin i bëjmë thirrje kolegëve tanë që të solidarizohen me ne duke bërë një gjë të thjeshtë të ripërsëritin pyetjet e mbetura pa përgjigje nga zoti Rama.
Gjithashtu iu bëjmë thirrje komisionit të çmimeve Guiness që ta ketë në vëmendje rastin Rama si unik dhe i pakonkurrueshëm në injorimin që i bën medias si rrallë ndodh në vendet demokratike.
Edi Rama: “Nga Sandri, ë?”
Edi Rama: “Të fala Sandrit”.
Edi Rama: “Pyetja vjen nga TV Klan. Unë për TV Klan kam një përgjigje me shumë dashuri. Të fala Sandrit.”
Edi Rama: “Takimet individuale i kam me Sandrin.”
Edi Rama: “I do Sandri të falat dhe nga Vasilika, mjaftojnë të falat e mia?”
Edi Rama: “Juve bëni të gjitha pyetjet që dëshironi unë jap përgjigjen që mendoj dhe të falat e mia për Sandrin mbeten të sinqerta dhe të përsëritura në të gjitha rastet që ju do të pyesni”./tvklan.al