Klaus Gjasula tërhiqet nga kombëtarja shqiptare. Mesfushori mbrojtës i përfaqësueses, e dha lajmin në një postim në rrjetet sociale.
“E kisha ëndërruar gjithmonë të luaja me Kombëtaren dhe e realizova. Isha në një Europian, shënova një gol dhe u ndjeva njeriu më i lumtur në botë. Nëse kthej kokën pas, kam plot momente të bukura me fanellën kuqezi, që nga grumbullimi i parë, te ndeshja debutuese ndaj Francës në “Stade de France” dhe tek ajo e fundit ndaj Kroacisë në Euro 2024. Edhe kur e mendoj tani ende dridhem nga emocionet”.
34-vjeçari largohet nga përfaqësuesja shqiptare për t’i dhënë mundësi të rinjve të përjetojnë emocionet që të jep fanella kuqezi.
“Gjithsesi, jam menduar shumë kohët e fundit dhe me ftohtësi kam gjykuar e kam marrë vendimin për t’u tërhequr nga Kombëtarja. Është vendimi i duhur për t’u hapur rrugën të rinjve, që Kombëtarja jonë fatmirësisht ka shumë. Unë e realizova ëndrrën time dhe tani është koha për të tjerë që ta plotësojnë dhe ta jetojnë atë ëndërr”.
Një falenderim i veçantë i Gjasulës shkon për tifozerinë shqiptare pa të cilën arritjet e kombëtares nuk do të kishin qenë të mundura. Në 5 vite me kombëtaren shqiptare, Klaus Gjasula ka luajtur 29 ndeshje. Edhe pse me periudha me dëmtime, ai ka qenë nja nga lojtarët me paraqitjen më të qëndrueshme në ekip me paraqitje të mira dhe siguri për ekipin sa herë ishte në fushë.
Tv Klan