Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë Silvio Gonzato ka kërkuar rikthimin në normalitet të jetës parlamentare, duke ftuar opozitën dhe maxhorancën që të japin kontributin e tyre lidhur me procesin e integrimit, teksa në 15 tetor vendet anëtare të unionit pritet të çelin kapitullin e parë të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë.
“Ne jemi në procesin e hapjes të grup kapitullit të parë për negociatat për integrimin në BE, që ndoshta është edhe grup kapitulli më i rëndësishëm, është grup kapitulli i parë që hapet, por edhe i fundit që mbyllet. Ç’ka do të thotë se është shumë e rëndësishme në këtë kontekst që Kuvendi i Shqipërisë të funksionojë ashtu siç duhet, e ku si mazhoranca ashtu edhe opozita luajnë rolin e tyre përkatës.”
Shefi i BE-së apeloi për konsolidim të reformës në drejtësi dhe tha se pavarësia e këtyre institucioneve duhet të respektohet.
“Duhet të respektohet pavarësia e institucioneve të drejtësisë, që do të thotë do të duhet edhe kontributi i tyre, por mbi të gjitha do të duhet të konsolidohet reforma e drejtësisë e vitit 2016. Prandaj kjo na ka bërë ne që të ofrojmë ekspertizën tonë, në mënyrë që të përshpejtohen të gjitha përpjekjet që kanë të bëjnë me parandalimin e korrupsionit, me mirëqeverisjen , por dhe me konsolidimin e reformës në drejtësi.”
Deklaratat ambasadori Gonzato i bëri nga Elbasani ku së bashku me Ministrin e Brendshëm panë nga afër një biznes, të ngritur mbi pronat e konfiskuara të eksponentëve të krimit të organizuar në këtë qytet tre vjet më parë.
Tv Klan