Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Strategjia Kombëtare për Energjinë, pritet të finalizohet në Qershor të këtij viti. Nevojave në rritje për energji, mund t’i përgjigjet vetëm një program afatgjatë e i detajuar nga specialistë shqiptarë e të huaj, i cili ka kohë që ka nisur. Hartimi i Strategjisë Kombëtare të Energjisë sipas drejtuesve aktual të saj, bënë të mundur furnizimin e sigurt me leverdi ekonomike dhe përdorimin eficent të burimeve.

Strategjia Kombëtare e Energjisë për Shqipërinë, ka si karakteristikë, jo vetëm zgjidhjen e problemeve tona, por dhe përfshirjen në tregun energjetik të BE. Karakteristika e përbashkët për të gjitha vendet është krijimi i tregut energjetik, i cili do të drejtohet në prodhim furnizimi dhe nivelin e konsumit.

Viktor Doda:- “Sistemi energjetik, duhet të jetë më i decentralizuar. Shumë më tepër vëmendje do t’i kushtohet përdorimeve me eficencë të burimeve energjetike, në gjithë sektorët e ekonomisë. Të gjitha teknologjitë, që do të zgjidhen për plotësimin e nevojave energjetike, do të mbështeten mbi bazën e parimit të kostos minimale margjinale afatgjatë të prodhim-transmetimeve të shpërndarjes së energjisë dhe mbrojtjes së mjedisit”.

Ndërsa kryeministri Nano është shprehur optimist ndaj planit të veprimeve realizimit të detyrave të vëna nga donatorët. Ai ka treguar, se po bëhen përpjekje për vendosjen e matësave për të gjithë konsumatorët, në mënyrë që sipas tij, t’i jepet fund abuzimeve në shpërndarje.

Kryeministri Fatos Nano:- “Ne duam të shmangim ndryshime dhe transformime reformuese spontane. Duke zbatuar plane veprimi konkrete, që i respektojnë realisht prioritetet tona të zhvillimit. Stabilizimi i sistemit të organizuar të menaxhimit të sistemit energjetik, duket se kërkon marrjen e masave thelbësore”.

Strategjia e zhvillimit të sektorit energjetik është parë si pjese e strategjisë së përgjithshme të zhvillimit ekonomik të vendit./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti