Ajo njihet si “poetja e mërgimit” dhe bëhet fjalë pikërisht për Bujana Malajn. Kësaj here në studion e “Rudina” në Tv Klan ajo nuk foli për poezitë, por se sa e vështirë është për një grua në Shqipëri që të bëjë karrierë.
Në regjimin komunist ku dëshirat personale vinin pas atyre të partisë, Bujana Malaj tregon se ëndrra e saj ishte që të vazhdonte shkollën. Por, përndjekja politike nuk ia dha këtë mundësi prandaj fillimisht ajo punoi për një kohë të gjatë si shitëse në një dyqan në qytetin e Peshkopisë. Prishja e sistemit dhe lulëzimi i demokracisë i dha mundësinë që të integrohej më mirë në tregti.
Megjithatë tranzicioni me vete solli e shumë probleme. Nga zgjerimi i dyqaneve në disa qytete të vendit, Bujana Malaj tregon se papritur ngeli pa asnjë. Gjithçka që kishte ndërtuar ishte shuar. Pas kësaj ajo u detyrua që bashkë me bashkëshortin e fëmijët të merrte rrugët e emigrimit. Bujana tregon se nuk ka qenë aspak e lehtë që të korrte sukses në një vend të huaj, por këmbëngulja, ëndrrat dhe mbështetja nga bashkëshorti bënë që ajo t’ia dilte.
Bujana Malaj: Unë u përkas të dyja epokave dhe të diktaturës dhe të demokracisë. Mua diktatura më zuri të përgatitur në tregti. Kam punuar si shitëse në një dyqan në Peshkopi.
Rudina Magjistari: Në çfarë dyqani?
Bujana Malaj: Kemi pasur dyqan mobiliesh dhe ushqimesh. Në ’90 ne i privatizuam këto.
Rudina Magjistari: Ti në ato kohë ishe shitëse, kishe ambicie, do të dojë të kishe pasur një pozicion më të rëndësishëm për të pasur një post më të lartë? Sa je përpjekur ti për ta arritur diçka të tillë?
Bujana Malaj: Përpara viteve ’90 unë kam pasur ëndërr diçka tjetër, vazhdimin e shkollës, por kam qenë e persekutuar nga regjimi diktatorial dhe nuk arrita do të bëja atë që kisha dëshirë. Pastaj krijova familje me bashkëshortin, u futëm në tregti të dy bashkë. Erdhi tranzicioni dhe na ndodhën shumë gjëra sepse ika në mërgim me fëmijët, por shpirtin e kam pasur gjithmonë që të punoj për vendin tim, për Shqipërinë, për atdheun , por ashtu erdhën rrethanat. Prandaj për momentin mora fëmijët dhe ika. Por para se të ikja unë kisha hapur tregti në disa qytete të vendin në Tiranë, Peshkopi, Kukës e Bajram-Curr, ku punësova shumë njerëz. Por, pastaj u shova sepse na ranë bandat e asaj kohe.
Rudina Magjistari: Dhe jashtë me tregti u more?
Bujana Malaj: Po, edhe atje. Shkova komplet bosh, lashë gjithçka këtu. Me shumë vështirësi e sakrificë e filluam atje. Dhe atë humanizëm që kishim e sollëm përsëri këtu dhe ja ku jam sot e kësaj dite vazhdojmë të njëjtën rrugë./tvklan.al