“Stop” ishte në Elbasan në lagjen “Çlirimi” për një problem të zonjës Olimbi Çipi, e cila prej 20 vitesh jeton në Itali.
Në vitin 2011 Olimbia mbylli matësin dhe kontratën e energjisë elektrike, por pas disa vitesh, zbulon, se ishte debitore me 1 milionë lekë të vjetra për taksën e shërbimit.
“Kam një apartament në katin e dytë. Kjo është banesa ime. Në vitin 2004 u largova në Itali. Në vitin 2011 vendosa ta mbyll kontratën me energjinë elektrike dhe ujin. Këtu kam pagesën e fundit që kam bërë para se të mbyllja kontratën. Bëra kërkesën dhe më 31 Maj 2011 vijnë punëtorët e më heqin sahatin. Nuk figuroj me matës në shtëpi, nuk figuroj me energji elektrike, nuk figuroj me kontratë, por figuroj me debi karshi elektrikut gati 1 mijë Euro për të paguar. Janë këto faturimet, 3400 lekëshe mujore, kjo taksë”, tha ajo.
Në OSHEE-në e Elbasanit i thonë se është në rregull me letra, por në sistem rezulton debitore.
Olimbia thotë se e bëjnë dhe fajtore, duke i thënë, se pasi bëri të gjithë procedurën, duhet të kishte verifikuar, nëse ishte mbyllur kontrata.
“Shtëpinë po e rregulloj që ta kemi për ditë pleqnie se jemi në prag pensioni. Nuk hyjmë dot brenda, nuk kemi energji elektrike. Kur vete te OSHEE mbi të gjitha më bëjnë edhe fajtore se e keni fajin ju shqiptarët që ikni në emigracion dhe i lini shtëpitë e braktisura e nuk e dini çfarë ndodh dhe duhet të vini të pyesni edhe ku mbyllet kontrata nuk më lanë të hyj aty. Nuk kemi orar pritjeje me popullin, nuk bëjmë takime”, tha denoncuesja.
Nga Elbasani, zonja shkoi në Tiranë, ku nuk e priti njeri.
Punonjësi: Ti ke shumë të drejtë! Të thashë, unë të kuptova, por…të them kot unë që, unë e di shumë mirë, që ke të drejtë, por s’të them kot tani që, unë ta heq! Po s’ta heq dot!
Punonjësi: Ne jemi Drejtori. Drejtoria është për ekzekutimin e ankesave dhe kërkesave, që vijnë nga “Kujdesi ndaj Klientit”. Ti tashi këtu, ke një procesverbal në dorë, që pretendon, që ky procesverbal është i demontimit të matësit. Që të depozitosh këtë ankesë, përfshirë edhe kësaj debie, nuk ta heq as specialisti, as drejtori rajonal, asnjeri, se këtu është drejtori.
Qytetarja: Më fal, kush do ta heqi?
Punonjësi: Duhet të shkosh tek “Kujdesi ndaj Klientit”, të depozitosh një ankesë, ose kërkesë, për këtë debi, që ke me pretendimin…
Qytetarja: Janë bërë të gjitha! Janë bërë të gjitha!
Punonjësi: Kur është bërë kjo? Sa ka? Dt 1.02.2024.
Qytetarja: Janë bërë të gjitha, mo! S’kam lënë gjë pa bërë!
Punonjësi: Atëherë, finalizimi i çdo praktike nis nga “Kujdesi ndaj Klientit” dhe finalizimin e ka në drejtorinë qendrore në Tiranë.
Qytetarja: Unë jam debitore, jo për fajin tim!
Punonjësi: Po nuk e zgjidh dot kështu!
“Unë po them që do merrem edhe vetë personalisht bashkë me stafin dhe qendrën që 99.9% do ta zgjidhim këtë rast konform ligjit. Në momentin që abonenti është debitor nuk mund të procedohet për lidhje të reja. Hapi i parë që do bëjmë është që të sistemohet fatura, pastaj procedura për lidhjen e re, për rivendosjen e matësit”, tha koordinatori i FSHU-së në OSHEE, Elbasan.
Pas Olimbisë, me rastin e saj, merret gazetarja e “Stop”, e cila mori premtimin, se debia e zonjës, do të zerohet.
“Rezulton që gabimisht janë hedhur tarifat e shërbimit në sistem nga kjo periudhë deri tani për të cilët drejtoria qendrore në bashkëpunim me kolegët e Elbasanit ka marrë vendim për zgjidhjen e çështjes, pra zerimin e detyrimeve duke i hapur rrugë kështu që abonenti t’i lindë e drejta për të lidhur kontratë të re dhe vendosësin e matësit aty ku ai ka kërkuar”, tha ajo./tvklan.al