Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoji me votat e PS-së dhe LSI-së buxhetin për vitin 2009 në një mbledhje ku kjo çështje nuk ishte parashikuar në rend të ditës. Në mbledhjen ku ishte lajmëruar diskutimi për licencat e taksive, këshilltarët e LSI-së kanë deklaruar se do të votojnë pro miratimit të buxhetit të bashkisë dhe do të monitorojnë hapat që do të ndiqen për miratimin e buxhetit.
Këshilltarët demokrat kërkuan që fillimisht të diskutohet buxheti me qëllim që qytetarët të njihen me ndryshimet e kryera.
Ferdinand Pone: “Është ndoshta i vetmi qytet europian që përpjekjes dhe tentativës së dështuar për të miratuar buxhetin me pseudo vota, me leje pallatesh e me radhe e me vota të blera, nuk ju arrit dhe vazhdon, vazhdon të mbahet peng buxheti a kokëfortësia dhe paligjshmëria e kryetarit të bashkisë së Tiranës dhe ne nuk e kuptojmë ose të gjithë qytetarët duhet të jenë të shqetësuar se si ka mundësi ne të vazhdojmë pa buxhet”.
Pas kësaj, këshilltarët demokrat janë larguar dhe këshilli bashkiak rrëzoi vërejtjet e prefektit të Tiranës Rruzhdi Keçi, që pak javë më parë kërkoi rishqyrtimin e një pjese të neneve të këtij buxheti. Më herët këshilltarët e LSI-së thanë se do të votojnë pro buxhetit të Tiranës, pasi sipas tyre ishin parashikuar vërejtjet e bëra në mbledhjen e fundit.
Erisa Xhixho: “Duke qenë se sugjerimet dhe vërejtjet tona janë pasqyruar, ne i qëndrojmë deklaratës së grupit në mbledhjen e kaluar të Këshillit bashkiak duke deklaruar votën tonë pro pas reflektimeve të bëra në materialin e paraqitur sot”.
Pas largimit të demokratëve, këshilltarët e PS-së dhe LSI-së, kanë votuar pro buxhetit për Tiranë. Një buxhet i rrëzuar disa herë për shkak të paqartësive që ne shoqëruan shpjegimin e investimeve nga hartuesit e tij./tvklan.al
Gazetare: Jolldiz Mitro