Lajme Arkiva – TV Klan 2003
71 trupat komando shqiptare të nisura me mision paqeruajtës në Irak, janë vendosur tashmë në bazën ushtarake amerikane në Kuvajt, duke u bashkuar me trupat e koalicionit në Gjirin Persik. Vetëm një ditë më parë, trupat komando shqiptare, kanë rifilluar stërvitjen intensive, në pritje të marrjes së detyrës në Irak.
Sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Mbrojtjes, në raportin e ditës së sotme nga qendra e bashkuar operacionale e shtabit të përgjithshëm, mësohet se gjendja shëndetësore dhe profesionale e të gjithë trupave komando është e mirë dhe në javën në vazhdim trupat paqeruajtëse do të vazhdojnë të dislokuar në bazën amerikane në Kuvajt.
Stërvitja dhe gjendja shëndetësore e paqeruajtësve, ndiqet në mënyrë të vazhdueshme edhe nga Ministri i Mbrojtjes Pandeli Majko dhe shefi i shtabit të përgjithshëm Pëllumb Qazimi, falë raportimeve të qendrës së bashkuar operacionale të shtabit të përgjithshëm, si dhe nga dy përfaqësuesit tanë të vendosur në komandën amerikane në Florida./tvklan.al