Kompania kineze Xiaomi do të nxjerrë në treg makinën e parë elektrike dhe prej së enjtes ka nisur të marrë porosi.
Shefi ekzekutiv Lei Jun ka njoftuar se Speed Ulta 7 (SU7) do të shitet deri në 500.000 juan (69.186 dollarë). Kjo lëvizje e vendos Xiaomi-n përballë konkurrentëve si Tesla dhe BYD.
Hyrja e Xiaomi në tregun e makinave elektrike po realizohet në një moment kur shitja e tyre është pakësuar dhe ka ‘ndezur’ luftën e çmimeve. Gjiganti teknologjik shpreson se sistemi i përbashkët i SU7 me celularët, laptopët dhe pajisjet e tjera do të tërheqë klientët ekzistues.
Sipas Counterpoint, Xiaomi është ofruesi i tretë më i madh në botë i celularëve dhe zotëron rreth 12% të aksioneve të tregut.
SU7 është krahasuar me modelet sportive të Porsche, Taycan dhe Panamera. Makinat do të prodhohen në Pekin nga një fabrikues në pronësi të shtetit në një numër deri në 200.000 në vit. Xiaomi është shprehur se do të investojë 10 miliardë dollarë në biznesin e automjeteve elektrike për 10 vitet e ardhshme.
Ndryshe nga Xiaomi, muajin e shkuar Apple anuloi planet për të prodhuar makina elektrike./tvklan.al