Pasi gjykata la në fuqi masat e sigurisë “arrest me burg” për ish-Presidentin Ilir Meta dhe “detyrim paraqitje” për deputeten Monika Kryemadhi, kjo e fundit ka dhënë një prononcim për mediat.

Gjatë fjalës së saj, ajo ka treguar dhe bisedën që ka pasur me avokatin Gjokutaj, të cilit sipas saj i ka thënë se është “jo serioz” pasi duhet të kishte kërkuar “arrest me burg” për të dhe “detyrim paraqitje” për Ilir Metën.

Monika Kryemadhi: I thashë Genc Gjokutajt që ti je avokat jo serioz sepse duhej të kërkojë “arrest me burg” për mua dhe “detyrim paraqitje” për Ilir Metën sepse në 167 faqe janë veprat e mia, për të cilat aludohet se akuzohet Ilir Meta. Unë kam qenë edhe ndërmjetësuesja që e kam prezantuar me filanin apo filanen. Nuk ka lidhje Ilir Meta. Ilir Meta ka qenë kryetar Parlamenti, ka qenë President. Këto janë absurditete që i kanë ngritur. Unë ja kërkova dhe Prokurorisë se kjo çështje duhet të ishte e ndarë.

Prokuroria ishte shumë provokative. Të jemi të sinqertë sepse të më pozicionosh në një sallë ku ne jemi në konflikt të hapur, është për të na provokuar dhe për të bërë shoë. Ka pyetur Prokuroria Eglantina Gjermenin, Edi Ramën për telefonin tim? Kam përshtypjen se e kanë thirrur Edi Ramën, i kanë parë mesazhet bashkë me Edi Ramën tek telefoni im, u janë kujtuar kohët e vjetra, i është kujtuar edhe se që e kemi gënjyer Ilir Metën për të bërë Erion Veliajn kryetar bashkie.

Pyetje: Ju e keni paracaktuar Erion Veliajn si kryetar bashkie? Pra, emrin e tij në listë?

Monika Kryemadhi: M’u thaftë goja dhe dora bashkë.

E pyetur se a do i dërgojë ushqime ish-bashkëshortit të saj në qeli, Monika Kryemadhi tha se Ilir Meta nuk pranon asgjë nga ajo.


/tvklan.al