Në daljen e parë publike për këtë vit të ri me detyrën si kryetar i bashkisë së Tiranës, Edi Rama ka rishprehur qëndrimin, se e majta do të fitojë zgjedhjet e radhës parlamentare.
Duke zgjedhur një prej projekteve të bashkisë, siç është ai i shtimit të hapësirave të gjelbra, Rama akuzoi mazhorancën për keqqeverisje, e cila sipas tij do të marrë si përgjigje ndëshkimin me votë të shqiptarëve.
Edi Rama: “Më pak se 6 muaj na ndajnë nga momenti i ndarjes me stërmundimet keq qeverisëse dhe sot ne e rihapim këtë sezon mbjelljesh të shpresës për Tiranën, që qëndron ndër të tjera edhe tek përmasa e saj e gjelbër.”
Deklarata e kryetarit të bashkisë së Tiranës u bë gjatë procesit për mbjelljen e 360 pemëve dekorative të llojit rrap përgjatë rrugës “Ali Demi”.
Gjatë periudhës dhjetor 2008-janar 2009 në rrugët kryesore të qytetit do të mbillen rreth 3 mijë pemë dekorative, duke përcjellë këtë fakt Rama përfitoi nga rasti t’u bëjë thirrje sipërmarrësve të përkrahin nismën e bashkisë për përmirësimin e hapësirave të gjelbra në Tiranë./tvklan.al