Kryetari i bashkisë së Tiranës ka bërë prezantimin publik të pjesës jugore të Unazës së Madhe të kryeqytetit. Zoti Rama theksoi se ky projekt është konform standardeve më të mira Europiane dhe pritet të rrisë ndjeshëm sigurinë rrugore si dhe të eliminojë trafikun ekzistues që kalon përmes kryeqytetit. Trafik që përllogaritet të rritet me 40% deri në vitin 2011.

Edi Rama: “Sot në vendin tonë asnjë projekt më të kompletuar dhe asnjë projekt kaq kompetitiv në sensin e parametrave Europian. Edhe projektet e mëdha të infrastrukturës rrugore  në Shqipëri, jo thjesht ato qytetase, janë larg këtyre parametrave. Ky projekt përbën edhe një model se si ne duhet t’i zhvillojmë rrugët e vendit tonë, një projekt i cili në asnjë mënyrë nuk duhet që të kthehet në një argument politik apo në një çështje të politizuar.”

Ky segment fillon tek kryqëzimi i rrugës së “Kavajës” pranë shkollës Teknologjike, përshkon Selitën duke dalë prapa kodrave të liqenit Artificial në pjesën jugore të tyre. Prej këtu gjurma e unazës i drejtohet Saukut dhe përfundon tek kryqëzimi me rrugën e “Elbasanit” pranë Akademisë së Rendit. I gjithë segmenti ka një gjatësi prej 5.5 km dhe sipas bashkisë do të kushtojë rreth 20 milion euro.

Edi Rama: “Për herë të parë ne do të kemi mundësinë, që në këtë pjesë të Shqipërisë që është kryeqyteti ynë të kemi një kontroll vizual, por edhe statistikor mbi trafikun e qytetit. Janë 5.5 km që mund të ndryshojnë esencialisht cilësinë e jetës së kryeqytetit në vitin 2011.”

Kryebashkiaku i Tiranës tha, se punimet për këtë segment do të fillojnë sapo të nënshkruhet kontrata me Bankën Europianë për Rindërtim dhe Zhvillim dhe punimet priten që të zgjasin disa vjet. Unaza e Re do të ketë dhe një impakt ekonomik, pasi krijon një lidhje më të mirë me komunat përreth kryeqytetit./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro

Operator: Isdor Rudho