Roma humbi 2-0 në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Europës kundër Bayer Leverkusen. Verdhekuqtë pësuan nga një gol në çdo pjesë, e nuk arritën të reagonin pavarësisht mbështetjes nga tifozët në “Olimpiko”.
Goli i parë erdhi në minutën e 28 nga Virtz, pas një gabimi të Karsdorp. Rrjeta e dytë erdhi nga Andrich në të 73. Pas takimit, trajneri i verdhekuqve Daniele de Rosi tha se ende beson te kualifikimi në finalen e Ligës së Europës.
“Kemi ende ndeshjen e kthimit! Mund të kishim bërë shumë gjëra të tjera, mund të luftonim deri në fund e të mbyllej me një tjetër rezultat. Por ky është viti i tyre! Duke qenë në disavantazh të dyfishtë, gjithçka bëhet më e vështirë për ne. Në Leverkuzen do të bëjmë ndeshjen tonë, duke shpresuar që të shpërblehemi.”
Ndërsa tekniku i Leverkuzen, Shabi Alonso tha se skuadrën e tij e pret një punë e madhe edhe në sfidën e kthimit. Ai vlerësoi paraqitjen e ekipit në “Olimpiko”.
Ndërsa sfida midis Marsejës dhe Atalantës në gjysmëfinalen e parë të Ligës së Europës përfundoi në barazim 1-1 në “Velodrom”. Për bergamaskët shënoi Skamaka në të 11, që shkon 5 gola në kompeticion, duke u bërë italiani i katërt me këtë rendiment. Për francezët barazoi Mbemba 9 minuta më pas. Trajneri i Atalantës, Xhan Piero Gasperini e ka mendjen te sfida e kthimit.
“Do të na duhet një ndeshje e mirë në kthim! Ne luajmë në shtëpi dhe 1-1 në Velodrom është një rezultat i shkëlqyer. Ne duam të shkojmë në finale! Por duhet të jemi më të zotë në sulm, krahasuar me këtë takim.”
Edhe për teknikun e Marsejës, Zhan-Luis Gaset asgjë nuk ka mbaruar dhe skuadra e tij duhet të tregohet më e saktë në Bergamo.
Klan News