Të gjithë qytetarët e dëmtuar kanë të drejtë të kompensohen plotësisht për dëmet e shkaktuara nga hapja e digës së liqenit artificial. Me këtë përfundim ka dalë lideri i opozitës Sali Berisha i cili duke iu referuar ligjit për digat ka shpjeguar përse shteti detyrohet të dëmshpërblejë të gjithë banorët e përmbytur të Tiranës së Re.
Sali Berisha: Sipas ligjit numër 8681më datë 2.11.2000 neni 9 gërma t, për digat parashikohet kompensim total humbjeve që pësojnë të tretët kur ato kanë origjinë nga diga. Ky ligj në nenin 2 gërma f, përcakton si të tretë faktorët që ndodhen në pjesën e poshtme të digës. Pra ligji u njeh qytetarëve të Tiranës të drejtën e kompensimit total për dëmin e shkaktuar.
Zoti Berisha nuk ka hezituar as të akuzojë kryetarin e Bashkisë Edi Rama se ai ishte në dijeni të bllokimit të kolektorëve disa muaj më parë dhe duhet të mbajë përgjegjësi ligjore për mosveprim.
Sali Berisha: Edi Rama i cili po reklamon përgjegjësi morale, në një kohë kur moralin e ka katra, më të zi se zifti ka dhe mban përgjegjësi direkt ligjore. Në arkivën e tij, por fatmirësisht edhe në dosjen e prokurorisë, gjenden dokumente të pakontestueshme, me të cilat kryetari i bashkisë është informuar, është paralajmëruar shumë muaj më parë, për bllokimin dhe zënien e plotë të kolektorit të ujërave të liqenit.
Lideri i opozitës i ka bërë thirrje organeve të drejtësisë të zbatojnë ligjin ndaj kryebashkiakut Rama për të mos lejuar destabilizimin e vendit./tvklan.al