OBSH thirrje për përforcim të masave dhe zbatim të tyre

Rreth 4.8 milionë njerëz në Madrid u janë nënshtruar rregullave të reja anti-Covid, të cilat hyjnë në fuqi të premten në mbrëmje. Masat vlejnë edhe për 9 qytete përreth kryeqytetit, një përpjekje kjo e Spanjës për të ndaluar valën e dytë të koronavirusit. Qytetarët mund të udhëtojnë jashtë rretheve të tyre vetëm për udhëtime thelbësore.

Baret dhe restorantet nuk mund të shërbejnë pas orës 22:00. Dhe një maksimum prej gjashtë personash lejohet të takohen në çdo mjedis. Pikat e kontrollit të policisë gjatë fundjavës do të jenë më shumë informuese sesa ndëshkuese, por gjobat do të vendosen për njerëzit që shkelin rregullat nga e hëna e 5 Tetorit.

Spanja ka regjistruar gjithsej 778,607 të infektuar, më shumë se çdo vend tjetër i Evropës Perëndimore, me gati 32,000 viktima. Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaroi se sëmundja po përparon në të gjithë botën, duke u bërë thirrje të gjitha vendeve të përmirësojnë masat anti-Covid.

“Ne i bëjmë thirrje çdo udhëheqësi të forcojë masat dhe zbatimin e tyre në mënyrë që të frenohet përhapja, të sigurojë sistemet shëndetësore dhe të mbrojë punëtorët”.

Sipas OBSH-së, Covid-19 po infekton më shumë se dy milionë njerëz çdo javë në të gjithë boten, teksa vdekjet i kane kaluar një milion.

Tv Klan