Federata Shqiptare e Futbollit organizon mbrëmjen e kësaj të hëne “Topin e Artë 2024”. Një spektakël dhe një mbrëmje gala e cila do të transmetohet live në orën 20:00 në Televizionin Klan, nën moderimin e Ardit Gjebreas dhe Almeda Abazit.
Në mbrëmje do të jenë të pranishëm futbollistët e ekipit kombëtar kuqezi, trajnerë, futbollistë të rinj dhe shumë protagonistë të tjerë të futbollit shqiptar. Marrë shkas nga eventet ndërkombëtare futbollistike, “Topi i Artë 2024”, ka për qëllim që të vlerësojë të gjithë futbollistët dhe trajnerët, që kanë spikatur përgjatë vitit 2024.
Ky event madhështor organizohet për herë të parë në Shqipëri dhe synon të kthehet në një traditë. Për të folur rreth këtij spektakli, i ftuar në studion lëvizëse të “Aldo Morning Show” në Tv Klan, ishte Presidenti i FSHF-së, Armand Duka.
Për të gjithë publikun ai ndau detaje sa i përket çmimeve që do të ndahen dhe mënyrës se si do të funksionojë ndarja e këtyre çmimeve. Duka tha se ky event ka për qëllim promovimin e futbollit shqiptar, vlerësimin e futbollistëve më të mirë, por dhe t’u japë një shtysë atyre të rinjve që janë në fillim të ëndrrës dhe pasionit të tyre për të shkëlqyer në fushën e gjelbër.
“Është një përmbledhje e të gjitha aktiviteteve të vitit 2024, ku përfshihet pa diskutim dhe pjesëmarrja e Shqipërisë në Europian dhe vlerësimi i atyre që janë menduar nga vetë protagonistët si më të mirët. Pra qëllimi është që të përmbledhim vitin, sepse zgjedhja e një më të miri është gjithmonë subjektive dhe në futboll është shumë vështirë që ta ndash. Sot për herë të parë ne e fillojmë këtë spektakël le të themi, këtë festë të fundvitit, të quajtur ‘Topi i Artë’ të moderuar nga artisti Ardit Gjebrea, që me të vërtetë e ka kuruar me shumë kujdes, gjithçka. Mendoj se do të jetë dhe nga pikëpamja artistike një gjë e bukur, një ndërthurje e futbollit me artin dhe padyshim që do të jetë një shtysë më shumë për ata që janë më të mirët. Por dhe për ata që nuk janë shpallur më të mirët, për ta pasur si objektiv për vitin tjetër. Por dhe për ata që nuk janë shumë fansa të futbollit, që t’i bëjmë edhe pak më shumë fansa. Qëllimi kryesor është tek fëmijët që të vijnë dhe të luajnë futboll. Ne kemi ‘Topin e Artë Shqiptar” dhe më të mirët e futbollit shqiptar, jo vetëm brenda vendit, por dhe jashtë tij dhe pikërisht ky bilanc e ky spektakël është për ta promovuar edhe më shumë futbollin”, tha Duka.
Armando Duka zbuloi pak nga surprizat e mbrëmjes së sotme, ku përveç emrave të nominuar që u bënë të ditur pak ditë më parë, ai tregoi dhe disa nga çmimet që do të ndahen.
“Këpuca e Artë nuk është një gjë që vendoset nga komisioni apo votimet, por kush ka shënuar gola më shumë fiton “Këpucën e Artë”. Kemi “Topin e Artë” për çuna dhe vajza të cilët do të votohen nga vetë protagonistët dhe trajnerët. Është zgjedhur “Formacioni i vitit 2024”. Është dhe një çmim tjetër shumë i rëndësishëm që është “Zemra kuqezi”, që është votuar nga futbollistët dhe nga stafi i ekipit kombëtar, apo “më i miri i ekipit” i votuar nga vetë futbollistët. Kjo është një shtysë jo vetëm për futbollistët, por dhe për ata që duan ta marrin në vitet e ardhshme. Është një motiv më shumë”, shtoi Presidenti i FSHF-së./tvklan.al