Përgatituni të qëndroni sonte të mbërthyer përpara ekranit të Televizionit Klan, sepse mbrëmja premier e edicionit të dytë për “Me Shumë Dashuri”, premton histori të rralla dhe surpriza të pa realizuara më parë në televizionet shqiptare.
4 histori dashurie do të hapin sonte mbrëmjen që përkon me festën e Shën Valentinit. Në skenarin e Dalina Buzit dhe Iris Luarasit, dikush do të surprizohet me një propozim martese, një tjetër do të ndihmohet për të kapërcyer një histori tragjike dashurie.
Kamera e “Me Shumë Dashuri” do të udhëtojë në qytete e vende të ndryshme duke na sjellë copëza jete nga dhoma spitalesh, deri tek tavolinat e restoranteve të kushtueshme të kryeqytetit. Vetëm kaq pak mund t’ju themi, pasi vazhdimin e këtyre surprizave si dhe histori të tjera të ralla dashurie do t’i zbuloni sonte në dark, ashtu siç do të zbuloni dhe skenografinë plot klasë të Joni Krajës. Një ndërthurje mes modernes dhe klasikes, një skenografi përfshin për herë të parë portën e dashurisë.
Ju sigurojmë se hapja e kësaj porte do të shoqërohet me rrahje zemre të forta në pritje të surprizave të ndryshme dhe njerëzve që për herë të parë me një ekran shqiptarë do të vijnë të pajtohen me miqtë apo të dashurit e tyre.
“Me Shumë Dashuri” rikthehet sërish me një pamje krejtësisht ndryshe nga sezoni i kaluar, një prej prezantuesve më të mira në ekranet tona Alketa Vejsiu, por në krah të saj nuk do të mungojë dhe këtë sezon Emiljano Lule, që vitin e kaluar nga një i ftuari i thjeshtë u kthye në prezantuesin e parë të verbër në historinë e mediave elektronike.
Për ta rikthyer në ekran këtë prodhim televiziv, gjigand për nga numri i historive dhe përmasave të surprizave, u deshën jo vetëm dëshira e mirë e publikut nëpërmjet letrave dhe e-maileve. Por dhe puna e madhe e një stafi të drejtuar nga regjisore dhe producente e famshme Vera Grabocka, e cila është garancia kryesore për suksesin e madh edhe për këtë sezon./tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani