Një ditë pasi kryetari i bashkisë së Tiranës Edi Rama, deklaroi se komisioni i ngritur me iniciativën e mazhorancës për të hetuar ligjshmërinë e lejeve të ndërtimit të dhëna nga bashkia që gjatë vitit 2007, është në kundërshtim me Kushtetutën, në cilësinë e kryetarit të këtij komisioni, deputeti Ferdinand Xhaferri  ka deklaruar se pavarësisht alibive të ngritura nga kryetari i bashkisë Rama, mazhoranca do të kërkojë shumë përgjigje prej tij . 

Ferdinand Xhaferri: “Shumë qytetarë kanë thënë vazhdimisht edhe më kanë thënë edhe mua si parlamentar, besoj ua kam bërë prezent edhe ju që Edi Rama dihet që abuzon me lejet e ndërtimit, pse ky komision hetimor. Shumë qytetarë e dinë dhe ne disa herë i kemi thënë problemin e planit rregullues të kryeqytetit. Unë mendoj që situata është krejt tjetër. Ne po gremë këtë komision hetimor, kuvendi ngriti këtë komision hetimor për arsyen madhore se ky zotëria kaloi çdo masë. Pra mënyra klienteliste, abuzive dhe monopoliste e dhënies së lejeve të ndërtimit kapërceu çdo kufi. Edi Rama në mbledhjen e fundit të KRT-së 14 projekte nga 18 projekte për punë publike, që do të thotë nga 18 projekte që janë të gjitha paratë e qytetarëve të Tiranës vendosi ti çojë te studioja e tij Alban Eftimis.”

Edi Paloka: “Si propozim shtesë unë do të kisha që jo vetëm lejet e këtyre dy studiove, por të shohim dhe se sa është zbatuar ligji mbi urbanistikën.”

Aldo Bumçi: “Tirana për 9 vite është ndërtuar pa plan. Në fund të vitit 2008 kryetari i bashkisë ka deklaruar që plani i përgjithshëm rregullues i Tiranës ka mbaruar. Pavarësisht nga kjo qyteti vazhdon të ndërtohet pa plan dhe plani nuk i në shtrohet procedurave ligjore për të marrë fuqi.”

Sot ne sallën e kuvendit ku u mblodh një pjesë e deputetëve të mazhorancës, ka munguar kryetari i bashkisë Edi Rama si dhe deputetet e opozitës, të cilët e kanë quajtur këtë komision si një sulm politik ndaj kreut të bashkisë, njëkohësisht kryetar i PS./tvklan.al

Gazetare: Anudena Llabani