Disa me karroca me kalë, disa të tjerë me automjete, shumë familje në Rafah kanë nisur të shpërngulen. Shpërngulja vjen pas thirrjeve të ushtrisë izraelite për t’u larguar nga qyteti jugor i Rripit të Gazës, i vetmi bastion i mbetur në duart e Hamasit. Thirrjet për vendasit u bënë përmes fletushkave të hedhura nga ajri e përmes rrjeteve sociale, ku komanda e ushtrisë izraelite shpalosi përmes një harte, fazat e sumit.

Thirrja për largim u është drejtuar si fillim 100 mijë banorëve në lindje të qytetit. Sipas planit, ushtria izraelite u propozon atyre të gjejnë strehë në disa çadra të reja të ngritura në zonën e Al-Mauasit, ku janë strehuar edhe palestinezë të tjerë të shpërngulur nga zonat veriore të Rripit të Gazës, ku prej gati 7 muajsh zhvillohen luftime. Një tjetër alternativë është Kan Junuzi, qyteti tjetër lindor prej nga ushtira izraelite tashmë është tërheqir.

Prej 7 Tetorit të vitit të kaluar, në Rafah krahas mbi 230 mijë banorëve, janë strehuar 1.5 milionë të tjerë. Shtetet e Bashkuara dhe aleatë të tjerë të Izraelit kundërshtojnë sulmin në Rafah, pasi i druhen shtimit të numrit të viktimave që deri më tani ka arritur në mbi 34 mijë. Por kryeminsitri Netanjahu thotë se sulmi është vendimtar për triumfin ndaj Hamasit.

Tv Klan