Pritet ngritja e dy Komisioneve Hetimore Parlamentare
Opozita do t’i rikthehet këtë të martë jetës normale parlamentare duke hequr dorë nga strategjia e saj bllokuese afro 5-mujore. Në orën 13:30 do të mblidhet Konferenca e Kryetarëve, ku do të marrë pjesë dhe kreu i grupit kuvendor demokrat, Gazment Bardhi.
Mbledhja do të miratojë ndryshimin e kalendarit të punimeve të kuvendit, për të përfshirë gjatë 3 javëve të ardhshme në axhendën parlamentare dhe ngritjen e dy komisioneve hetimore të kërkuara nga opozita.
Nga 8 kërkesat hetimore që nuk u pranuan nga shumica dhe që u bënë shkak për këtë ngërç në parlament, pas negociatave disa javore mes Bledi Çuçit dhe Gazment Bardhit është dakordësuar të ridepozitohen kërkesat për nisjen e hetimit parlamentar për vetëm 2 çështje.
Opozita ende nuk e ka bërë të ditur se cilat do të jenë çështjet për të cilat do kërkojë ngritjen e komisioneve hetimore. Kushti tjetër i opozitës, ai për ndryshimin e përbërjes së Komisionit të Reformës Zgjedhore ende nuk ka marrë dakordësinë e shumicës.
Tv Klan