Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Niko Peleshi së bashku me një grup deputetësh të Partisë Socialiste i kanë dhënë lamtumirën e fundit ish-deputetit të Partisë Demokratike, Gerti Bogdanit.
Në një prononcim për mediat, Peleshi ka shprehur ngushëllimet e tij për humbjen e parakohshme të Gerti Bogdanit për të cilin u shpreh se përfaqësonte një standard për të mos u humbur, por për tu ndjekur.
Niko Peleshi: Humbje e parakohshme, në një moshë kaq të re është e dhimbshme për këdo edhe për njerëz që i njeh apo nuk i njeh, për më tepër që bëhet fjalë për një djalë të mirë, të shkëlqyer të Tiranës dhe Shqipërisë, një politikan model, por mbi të gjitha një bashkëshort i mirë dhe qytetar shembullor. Dhimbja shumfishohet dhe dua që t’iu bashkoj të gjithë ngushëllimeve dhe dhimbjen që gjithkush e ndjen sot, dhe dhimbjen e të gjithë kolegëve tanë të grupit të deputetëve të Partisë Socialiste, të cilët janë sot këtu për të përcjellë një mikun e tyre, kolegun e tyre, një njeri me kaq shumë vlera që do t’i mungojë padyshim familjes, miqve, por edhe politikës shqiptare sepse përfaqësonte një standard për të mos u humbur, por për tu ndjekur. Ndaj ju falenderoj që më jepni mundësinë që të ndaj dhimbjen që ne sot të gjithë ndjejmë për këtë ikje të parakohshme, por kjo është jeta dhe mbase këto momente duhet të na bëjnë më të mirë./tvklan.al