Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Dy forcat më të mëdha politike kanë filluar përgatitjet për zgjedhjet lokale të Tetorit. Partia Socialiste pothuajse është në përfundim të riorganizimit të koalicionit qeveritar Aleanca për Shtetin.
Sekretari i përgjithshëm socialist Gramoz Ruçi, ka firmosur marrëveshjet e reja, mbi të cilat përcaktohen marrëdhëniet e Partisë Socialiste me PSD, PAD që njeh për kryetar Neritan Cekën dhe Partinë Agrare. Ndërsa PBDNJ ende nuk i kanë nënshkruar këtë marrëveshje, pasi sipas saj, socialistët kanë krijuar me aleatët marrëdhënie vasaliteti.
Edhe Partia Demokratike ka nisur përgatitjet kësaj radhe nga baza për zgjedhjet lokale. Lideri i opozitës Sali Berisha, duke zgjedhur Vlorën si ndalesën e parë të këtij turi ka deklaruar, se vendi duhet të shkojë drejt zgjedhjeve të lira. Në aktivin e Vlorës, Berisha ka vlerësuar si një nga prioritetet e PD, krijimin e një fronti të gjerë opozitar, si mjeti më i mirë për të fituar zgjedhjet. Por ka theksuar Berisha, një nga kushtet kryesore, për të arritur këtë rezultat është hapja e PD ndaj të gjitha shtresave të shoqërisë dhe sqarimi i tyre për situatën e krijuar në vend.
Ndërkohë opozita ka dalë me një qëndrim për çështjen e pronave. Në një tryezë të përbashkët partitë e opozitës në parlament, përfshirë edhe PD, kanë deklaruar se nuk do të pranojnë variantin e qeverisë për çështjen e pronave, por ato do të mbështesin në parlament projektin e paraqitur nga deputetët republikan, që sipas tyre është më afër interesave të pronarëve. Ndryshe nga sa është komentuar ky projektligj, ashti si ai i qeverisë nuk kërkon abrogimin e ligjit 7501, por rishqyrtimin.
Gjatë kësaj jave shteti dhe diplomacia shqiptare kanë vënë në qendër të vëmendjes marrëdhëniet e saj me shtetin fqinj Maqedoninë. Pas deklaratave të opozitës shqiptare dhe maqedonase, për krijimin e shteteve etnike, apo shkëmbimin e territoreve. Gjatë një vizite në Tiranë, kryetari i parlamentit të Maqedonisë Nikola Popovski, ka deklaruar se zbatimi i marrëveshjes së Ohrit është i vetmi qëndrim zyrtar i qeverisë maqedonase. Për zbatimin e kësaj marrëveshje që iu njeh të drejtat shqiptarëve të Maqedonisë, janë edhe autoritetet shqiptare që janë shprehur kundër cenimit të autoritetit territorial të Maqedonisë.
Ndërkohë, shefi i diplomacisë shqiptare Ilir Meta ka njohur komisionin parlamentar të integrimit, për përgatitjet që po bën qeveria shqiptare para samitit të Selanikut. Shqipëria është e ftuar në këtë takim të rëndësishëm, që organizohet në Qershor, kur Greqia i dorëzon Italisë presidencën e radhës të BE. Opozita i ka kërkuar Ministrit të jashtëm Meta të bëjë përgatitje serioze, për t’u paraqitur në samitin e Selanikut./tvklan.al
Gazetare – Elona Meço