Lajme Arkiva 2003

Prokuroria shqiptare regjistroi për vitin e kaluar më shumë se 13.000 procedime penale, një pjesë e të cilave janë mbartur nga viti 2001. Numri i të pandehurve për këto doje i kalon 9000, por vetëm gjysma e tyre janë me masën e arrestit me burg. Ndërkohë që të tjerët hetohen të lirë ose në mungesë.

Ngarkesën më madhe të punës e ka pasur gjatë vitit që u mbyll Prokuroria e Tiranës e cila është përballur me hetimin e më shumë se 28% të dosjeve në shkallë republike. Sipas statistikave të prokurorisë së përgjithshme ka një rritje prej 8% të numrit të çështjeve të regjistruara gjatë kësaj periudhe në krahasim me vitin 2001.

Hetimet për goditjen e 10 organizatave kriminale me anëtarë shqiptarë dhe të huaj janë ndjekur në bashkëpunim edhe me drejtësitë e shteteve të tjera në zbatim të konventave të Këshillit të Evropës.

Por mungesa e mjeteve të nevojshme shkencore e funksionimit të gjykatave të krimeve të rënda dhe mungesa e ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve, e pengojnë seriozisht prokurorinë në hetim.

Përsa i përket trafiqeve dhe kultivimit të lëndëve narkotike kanabis, prokuroria rrëfen se ka një ulje. Ndërsa trafiku i prostitucionit dhe i njerëzve në përgjithësi mbetet forma më e ashpër e kriminalitetit këtu.

Përsa i përket hetimit të veprave penale kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave gjatë vitit 2002 organi i akuzës ka proceduar për shpërdorim detyre 176 persona dhe 73 persona për shkelje në tendera.

Ndërsa për krime kundër personit që shkaktuan vitin e kaluar mbi 400 të vdekur prokuroria ka nisur 2372 procedime penale./tvklan.al