Ishte televizioni “ABC7NY” që publikoi pamjet e ikonës së muzikës shqiptare Parashqevi Simakut teksa merrte ndihma bamirësie që sensibilizoi mbarë opinionin shqiptar.

Që prej identifikimit të këngëtares së njohur reagimet kanë qenë të shumta, teksa figura të njohura janë vënë në lëvizje për t’i ardhur në ndihmë. Megjithatë shfaqja e saj në publik pas shumë vitesh pauzë ngjalli interes të shtuar për publikun shqiptar, duke rihapur dhe një herë kapitullin e historisë së saj në Shqipëri.

E ftuar në studion e “Rudina” në Tv Klan, gazetarja Glidona Daci tha se duhet të hapen dosjet e Sigurimit të Shtetit që sipas saj do të hidhnin dritë mbi largimin Parashqevi Simakut nga Shqipëria dhe arsyet që e çuan këngëtaren deri në këtë pikë.

Rudina Magjistari: Do ta konsideroni një ngjarje të rëndësishme të këtij viti? Rishfaqja e saj unë mendoj se ishte një moment i rëndësishëm saqë duhet sikur i hipnotizoi të gjithë për një fundjavë, për 48 orë asnjë lloj lajmi tjetër nuk arrinte dot të dilte mbi sipërfaqe sepse kishte pushtuar vetëm informacionet që vinin për Parashqevi Simakun.

Glidona Daci: Unë do e përmbledh vetëm me një fjali të shkurtër sa i takonte asaj çështjeje. E kam ndjekur me shumë interes ka qenë një këngëtare të cilën unë ia kam dëgjuar këngët pasi më pëlqen shumë muzika e atyre viteve, por nga ana tjetër mënyra se si u përdor e gjithë historia për mua nuk ishte mënyra e duhur. Gjithsesi nëse duam të zbulojmë se çfarë i ndodhi Parashqevi Simakut dhe të shkojmë e ta ndihmojmë Parashqevi Simakun ne duhet të hetojmë së pari dhe të hapim dosjet e Sigurimit të Shtetit për të parë se përse Parashqevi Simaku u largua nga Shqipëria. Çfarë ka ndodhur me Parashqevi Simakun në atë kohë kur ajo ka jetuar në Shqipëri dhe të gjitha me radhë, më pas të dalim në konkluzione përfundimtare sepse një këngëtare, një grua apo një nënë përpos të gjitha traumave që mund të ketë në jetë do duhet të hetohen së pari traumat e së kaluarës. Këto do të na hyjnë në ndihmë nëse shteti shqiptar apo gjithë shqiptarët kudo në botë që duan ta kuptojnë së pari ta kuptojnë dhe të hetojnë atë se çfarë ka ndodhur në kohën kur ajo ka pasur një marrëdhënie me një drejtor të Sigurimit të Shtetit dhe aty do të kuptojmë të gjitha problemet që e kanë çuar Parashqevi Simakun deri në këtë pikë./tvklan.al