Sapo u fol për një plan të ri të presidentit të zgjedhur amerikan Donald Trump për Ukrainën, nga Rusia erdhi refuzimi i parë. Presidenti Vladimir Putin e quajti të pakuptimtë çdo lloj presioni, por gjithsesi shtoi se Moska mbetet gati për të negociuar.
Vladimir Putin: Është e kotë të bësh presion mbi ne. Por jemi gjithmonë gati të negociojmë duke marrë parasysh plotësisht interesat e ndërsjella legjitime. Ne kemi bërë thirrje për këtë dhe po u bëjmë thirrje të gjithëve.
Më tej Putini vazhdoi me alibitë e tij për të vazhduar luftën se Perëndimi ëndërron një botë pa Rusinë, e që sipas tij Rusia i ka ndaluar vazhdimisht ata që kërkojnë dominim global.
Nga forumi Valdai që zhvillohet çdo vit në Soçi buzë Detit të Zi, presidenti rus dënoi Shtetet e Bashkuara që synojnë humbjen strategjike të Rusisë në Ukrainë. Putini pretendoi se po zhvillon një luftë për të formuar një rend të ri botëror dhe e epoka e dominuar nga perëndimi pas Luftës së Ftohtë u shkatërrua.
Vladimir Putin: Ne kemi arritur pranë një kufiri të rrezikshëm. Thirrjet e Perëndimit për t’i shkaktuar një disfatë strategjike Rusisë, një vend me arsenalin më të madh të armëve bërthamore, tregon aventurizëm të tepruar të politikanëve perëndimorë.
Perëndimi është treguar arrogant ta shpallë Rusinë si një fuqi të mundur pas rënies së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, tha Putini, duke e përshkruar aleancën ushtarake të NATO-s të udhëhequr nga ShBA-ja si një anakronizëm.
Predikimet historike të Putinit vijnë ndërsa në Uashington filloi të fryjë një erë e re politike. Ardhja e Donald Trumpit në pushtet do të shtojë presionin jo vetëm mbi Ukrainën për ta detyruar në negociojë paqen me Rusinë, por edhe drejtpërdrejt mbi Putinin. Dhe ky fjalim i kreut rus erdhi pikërisht në ditën kur këshilltarët e rinj të Donald Trumpit propozuan shtyrjen e anëtarësimit të Ukrainës në NATO për të paktën 20 vjet dhe ngrirjen e luftës në kufijtë e tanishëm të frontit.
Sipas gazetës “Wall Street Journal” plani i ri kërkon që Ukraina dhe Rusia të bien dakord për një zonë të çmilitarizuar përgjatë vijës së tanishëm të frontit prej rreth 1,300 kilometrash. Në rolin e paqeruajtësve, sipas idesë së këshilltarëve të Trump, do të duhet të veprojnë trupa të vendeve europiane. Amerikanët nuk do të marrin pjesë në këtë dhe as nuk do të paguajnë.
Kievi gjithashtu duhet të heqë dorë nga anëtarësimi në NATO për të paktën 20 vitet e ardhshme. Në këmbim, ShBA-ja do të vazhdojë ta furnizojë Ukrainën me armatim për të penguar një sulm të mundshëm rus.
Klan News