Në samitin që po mbahet në Kotor të Malit të Zi, kryeministri Edi Rama vuri theksin te bashkëpunimi i vendeve të rajonit me Bashkimin Europian për tregun e përbashkët financiar.
“Na duhet të punojmë mbi mundësinë e planit të rritjes për të përgatitur vetveten për tu integruar në tregun e përbashkët që është shtylla e parë e planit. Ka ardhur koha që rajoni të bëhet pjesë e portofolit dixhital europian. Ne synojmë të jemi gati në 2027, presim që komisioni të finalizojë udhërrëfyesin të kemi një shteg të qartë përpara. Jemi gati për t’u bërë pjesë e tregut europian. Nuk duhet të presim të gjitha reformat në BE të përfundojnë reformat të përfundojnë, duhet të hapim rrugën për pranimin e rajonit në tregun unik europian”, deklaroi kreu i qeverisë.
Përveç kësaj, Rama tha se e rëndësishme është që shtetet e Ballkanit Perëndimor të “mos bllokojnë vetveten” duke mos lejuar çështjet bilaterale të ndikojnë te rruga drejt BE-së.
“Duhet ta bëjmë pjesëmarrjen tonë, në politikën e sigurisë më domethënës. Duhet të jemi pjesë e instrumenteve që kanë të bëjeni me sigurinë kibernetike. Do vazhdojmë bashkëpunimin rajonal dhe zotohemi për këtë. Për Shqipërinë, nuk është e kaluara që duhet ta kontrollojnë të ardhmen, por e ardhmja duhet ta kontrollojë të kaluarën. Dëshirojmë të shihemi si shtete anëtare sa i përket sjelljeve dhe përsëri vazhdojmë të bllokojmë vetveten. Kjo nuk ka kuptim. Ne duhet t’i lëmë politikat dhe çështjet dypalësh jashtë kësaj hapësire. Nëse bëjmë çdo gjë në mënyrën dhe stilin evropian kjo do ta lehtësojë atmosferën, në mënyrë që të gjithë të merreshin me çështjet dypalëshe”, u shpreh Kryeministri./tvklan.al