Natë kërkimesh me momente të ankthshme me informacione vendndodhjeje për rastet e trajtuara gjatë transmetimit të drejtpërdrejt prej gjashtë orësh ka qenë e premtja e djeshme në emisionin “Njerëz të Humbur”.

Maratonë telefonatash dhe mesazhesh të mbërritura në emision mbajtën të fokusuar në TV Klan të gjithë shqiptarët kudo që ndodheshin në botë.

Menjëherë pas prezantimit për herë të parë të të humburit Evangjellos Binari, 42-vjeçarin nga Delvina, i cili u nis me skaf në vitin 2002 për në Greqi duke përshkuar itinerarin Sarandë-Lefkada për të humbur më pas të gjitha kontaktet vijnë informacione konkrete që në kohë rekord u verifikuan nga stafi i gazetarëve.

“Kur u kthyem nga Preveli dhe erdhëm në Lefkadë sa u futëm brenda në shtëpi filloi qante me ngashërim. Më thotë që pse nuk i fole babit tim, më thotë ku ishte babi i thashë dhe nuk i fola. Mbrapa atje rrinte në karrige më thotë çuni”.

Aida Shtino: “Kemi…aktualisht në linjë. Atëherë ku, çfarë përgjigjesh të marr nga burgu i Janinës? Hë? Folëm? Si mbas një verifikimi paraprak që është bërë duke u bazuar tek emri i tij me emrin Evangellos Binari, i biri i Fanes të paktën sipas të dhënave që ne i kemi dërguar korrespondentit tonë, nuk ekziston me këtë emër”.

Informacionet nuk kanë reshtur edhe për Klodian Kaptellin, 29-vjeçarin nga Gramshi, i cili humbi në rrethana misterioze në Brescia të Italisë.

“Konkretisht Aida flitet për një burg të Anglisë në Kent…”.

E ndërsa rasti i Bashkim Karanxhës, historisë 18-vjeçare, sa vjen dhe bëhet më i prekshëm.

“Ndoshta i është hapur një rrugë për të shkuar pikërisht në Itali. Të marrim këtë supozim dhe na vijnë informacione për një shfaqje të mundshme madje ishte viti 2007 viti paraprirës dhe viti 2008, të paktën për këto dy vite ka pasur informacione se ai është shfaqur në Milano, në Piazza Loreto. Meqenëse stafi jonë udhëtoi edhe drejt Italisë këtë javë në arritëm të kontaktonim edhe me shumë persona që ishin atje”.

Për 58-vjeçarin, Adriatik Rizvani, humbur që prej 32 vitesh, me prezantimin e pasaportës dhe të dhënave duket se më në fund i është dhënë dritë vendndodhjes së tij.

Aida Shtino: “Është një lajm shumë i mirë që na ka mbërritur mbas shumë e shumë kërkimesh në lidhje me fatin e Adriatik Rizvanit ka ardhur në Shqipëri për t’ju takuar. Nuk është në këto momente që ne flasim, por ka ardhur për t’ju kërkuar. Është, ka marrë vesh që vëllai juaj ndodhet në Itali. Ka udhëtuar drejt Italisë për ta kërkuar. Është lajmi më i mirë që unë mund t’ju jap sonte për babain tuaj. Është gjallë dhe shëndoshë e mirë.”

Duket se shikueshmëria e emisionit dhe ndihma e dhënë nga të gjithë atdhetarët tanë ka dhënë drita shprese dhe lajme të mira për të gjitha rastet e prezantuara gjatë emisionit “Njerëz të Humbur”. Stafi i gazetarëve vazhdon verifikimet./tvklan.al