Performancën më të dobët TVSH dhe taksat nacionale
Rënia e të ardhurave po detyron qeverinë që të rishikojë buxhetin e këtij viti. Burime për Televizionin Klan bëjnë me dije se Ministria e Financave është duke punuar mbi disa variante lidhur rialokimin e fondeve publike, duke orientuar financimin drejt veprave publike që kanë ecur mirë, dhe duke shkurtuar shpenzimet për projekte që ende nuk kanë filluar.
Për 7 muajt e parë të vitit të ardhurat tatimore në buxhet rezultojnë 2.5 miliard Dollarë, duke pësuar një rritje me 1% krahasuar me të njëjtën periudhë të 2018-s, larg parashikimit fillestar të qeverisë.
Performancën më të ulët në mbledhjen e taksave e ka patur sërish tatimi mbi vlerën e shtuar. Vetëm për Korrikun, tatimet dhe doganat kanë mbledhur 3.9 milion Dollarë më pak se një vit më parë, ndërsa për të gjithë periudhën janar-korrik, buxhetit i mungojnë 24 milion dollarë krahasuar me 2018-n. Në buxhet parashikohet që nga ky tatim do të shtohen 51 milion dollarë.
Këtë vit buxheti ka arkëtuar 21 milion Dollarë më pak se një vit më parë edhe nga taksat nacionale. Me rritje kundrejt 2018-s rezultojnë akcizat, tatimi mbi fitimin dhe taksat lokale.
Kur ka kaluar më shumë se gjysma e vitit, shpenzimet në buxhetin e shtetit kanë ngecur. Deri më sot qeveria ka shpenzuar vetëm 52% të fondeve, ndërsa projektet për vepra publike janë realizuar vetëm 37%.
Situata me të ardhurat në buxhet ka bërë që në të gjithë vendin të nisë një aksion kundër informalitetit.
Tv Klan