Zbulimi amerikan paralajmëron se ndërhyrjet nga jashtë mund të nxisin trazira ditën e zgjedhjeve dhe javët pas saj në Shtetet e Bashkuara. Në një deklaratë të përbashkët të FBI-së, Drejtorisë së Inteligjencës Kombëtare dhe Agjencisë për Sigurinë Kibernetike dhe Infrastrukturën thuhet se Rusia dhe pjesërisht edhe Irani po mbushin rrjetet sociale me lajme gjatë votimeve.
Kërcënimi më i madh për ta vjen nga Rusia, pasi janë konstatuar raste të shumta të lajmeve të përhapura nga media apo individë të lidhur me Moskën që paralajmërojnë manipulimin e rezultatit të zgjedhjeve. Në njërin nga rastet e shpërndarë në rrjetin social “X”, thuhet se në Xhorxhia kanë votuar shtetas nga Haiti të regjistruar në mënyrë të jashtëligjshme në zgjedhje.
Po ashtu, sipas zyrtarëve të zbulimit amerikan fakti që Putin ka shprehur mbështetjen për planin e Trampit për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë nëse fiton zgjedhjet, shihet si një përpjekje për të ndikuar në rezultatin e këtyre presidencialeve.
Në deklaratë përmendet edhe rasti i grabitjes së të dhënave konfidenciale të fushatës së republikanëve nga Hakert Iranianë këtë verë, duke ia dërguar ato demokratëve pa kërkesën e këtyre të fundit, çka shihet si përpjekje për të nxitur përçarje dhe destabilitet. Moska dhe Teherani i kanë mohuar këto pretendime.
Tv Klan