Jeta e Nuries, historinë e së cilës e rrëfeu vajza, Ornela në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, ka qenë e tejmbushur me sakrifica. Një ish-bashkëshort i vështirë, përballja e sfidave si nënë e vetme me tri vajza dhe vendosmëria që në moshën 33-vjeçare, t’u përkushtohej vetëm atyre.
Ornela tregoi sesi e ëma e ndërpreu rrugën e muzikës duke iu dedikuar familjes e lënë veten mënjanë. Arsyet që ajo e ka ftuar janë të panumërta, por dëshiron që t’i lërë një dëshmi dashurie.
Ornela: Ma!
Nurie: Zemër!
Ornela: Unë kam ardhur sot këtu, kam treguar gjithë historinë e jetës tënde, gjithë vuajtjet dhe sakrificat që ti ke bërë për ne. Ti s’na braktise asnjëherë, për asnjë arsye. E doje shumë familjen, por fati yt nuk deshi ashtu. Ti ma na ndihmon shumë, na i ke rritur fëmijët, ke sakrifikuar gjithë jetën për neve. Ti e di që unë nuk jam tip që bëj këto gjëra kështu, por indicien e mora nga mbesa jote, falë asaj jam këtu, falë Hermonës. Ti je një model shumë i mirë i nënës dhe unë këtë ia kam përcjellë edhe vajzave të mia dhe për gjithçka që jam sot apo shpresoj të jem në të ardhmen, unë të detyrohem ty ma!
Nurie: Faleminderit zemra ime!
Ornela: Të duam shumë dhe shpresojmë të të kemi sa më gjatë pranë nesh!
Nurie: Faleminderit zemra ime! Edhe unë të dua shumë! Je njeri i mrekullueshëm! Jeni të mrekullueshme, të treja vajzat e mia!
Ardit Gjebrea: Je krenare për to?
Nurie: Jam shumë krenare! Jam shumë e lumtur që kam vajza!/tvklan.al