Të shtunën Shqipëria do të përballet me Italinë për ndeshjen e saj të parë në Euro 2024. Media dixhitale “Savoir Sport” i ka kushtuar një video futbollistit të kombëtares kuqezi, Marash Kumbulla. Ai është lindur e rritur në Itali dhe do të ndeshet kundër saj në fushën e blertë.
“Kemi dashur të festojmë këtë moment për Marashin tonë përmes një rrëfimi emocionues”, shkruhet krah videos.
Në të, Marashi shpreh sa e veçantë është kjo sfidë për të dhe falenderon Italinë që ka mirëpritur familjen e tij. Gjithashtu falenderon tifozët dhe premton se ekipi do të shpërblejë të gjithë mbështetjen që ka marrë prej tyre.
“Rrugëtimi ynë nis tani. E nisim me një sfidë shumë të veçantë për mua. Shqipëria dhe Italia më përfaqësojnë. I jam shumë mirënjohës Italisë për mikpritjen që i ka bërë familjes time: është vendi ku jam lindur dhe rritur. Tani jemi përballë si rivalë, por historia jonë do të na bashkojë përgjithmonë. Objektivi ynë në këtë Europian është që t’i bëjmë tifozët tanë krenarë. Ju keni besuar gjithmonë tek ne, nuk kemi munguar kurrë sa herë është dashur dhe na keni mbështetur. Tani na takon ne që të shpërblejmë të gjitha sakrificat tuaja: Forca Shqipëria, të bashkuar për një rrugëtim të mrekullueshëm!”/tvklan.al