Një pjesë e një ure u shemb në qytetin lindor të Kolkatas në Indi, duke zënë poshtë një numër disa persona. Sipas asaj që shkruan BBC, deri më tani flitet për të paktën një viktimë dhe me dhjetëra të plagosur.

Në vendngjarje shkuan forca të ushtrisë dhe ekipe të shpëtimit, të cilët po përpiqen që të nxjerrin personat e bllokuar nën rrënojat e urës Majerhat.

Deri më tani nuk dihet ende shkaku që çoi në shembjen e kësaj ure. Mediat lokale publikuan pamje nga vendngjarja. Nën rrënoja mund të shihet një autobus, automjete, e motorë.

Autoritetet thanë se momentalisht prioritet është shpëtimi i jetëve njerëzore, ndërsa hetimet do të kryhen në një moment të dytë.

Ky është incidenti i dytë i këtij lloji që ndodh në këtë qytet vitet e fundit.

Në Mars të 2016-s, të paktën 20 persona u vranë e shumë të tjerë mbetën të plagosur kur një mbikalim në ndërtim u shemb.

/tvklan.al