Të paktën 4 persona humbën jetën këtë të martë në Bolonja të Italisë, si pasojë e një shpërthimi në hidrocentralin e Suviana. 3 të tjerë rezultojnë të zhdukur, ndërsa 5 prej punonjësve mbetën të plagosur. Shpërthimi ndodhi rreth orës 15:00, në katet nën ujë të hidrocentralit, për shkaqe momentalisht të panjohura. Aktualisht operacionet e shpëtim kërkimit vijojnë, por ato janë tejet të vështira.
Sipas kryebashkiakut të Camugnano, Marco Masinara, në momentin e ngjarjes po punohej në turbina dhe personeli gjendej në brendësi të strukturës. “Shpërthimi ndodhi nën nivelin e ujit. Në vendngjarja ka shumë tym dhe zjarrfikësit po hasin vështirësi për të ndërhyrë në brendësi”, tha ai.
“Për të ndërhyrë duhet fushëpamje dhe temperatura të ulëta”, tha kreu i zjarrfikës së Bolonjas, Calogero Turturici. “Kur të arrijmë në katin ku ndodhi shpërthimin dhe pasi të kemi arritur që të kontaktojmë personin përgjegjës të Enel të impiantit do të mund të kuptojmë më mirë çfarë ka ndodhur”, shtoi ai.
Sipas ANSA, zjarri dyshohet të ketë nisur në katin minus 9, ku ndodhen transformatorët. Diga e basenit artificial të Suviana nuk rezulton që të jetë e përfshirë në incident. Paraprakisht raportohet se shpërthimi ka ndodhur në një prej centraleve të pompimit dhe turbinave, që ndodhet rreth 2 kilometra larg nga diga. Ndaj për momentin nuk raportohet për dëme në strukturën e saj.
Enel, që ka në pronësi centralin, tha se ka nisur verifikimet për të zbardhur shkaqet e ngjarjes.
Një reagim pati edhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni.
“Po ndjek me vëmendje lajmin e rëndë për shpërthimin e ndodhur në një hidrocentral në basenin artificial të Suviana. Mbështetja ime dhe e qeverisë shkon për familjarët e viktimave dhe personave që mbetën të plagosur. Falenderoj Shërbimin e Zjarrfikëses për ndërhyrjen e shpejtë dhe ata të emergjencës që vijojnë të punojnë për gjetjen e personave të zhdukur”, tha Meloni./tvklan.al