“Drejtimin e bordit të Xhamisë së Namazgjasë e kanë shqiptarët”, kështu është shprehur imami i Tiranës dhe njëherazi drejtuesi i këtij objekti kulti, Gazment Teqja.
Në një lidhje direkte për emisionin “Opinion” në Tv Klan, imami Teqja ka thënë se shumica e bordit do të jetë shqiptarë, ndërsa një pjesë do të jenë nga Turqia që t’i mbështesin me eksperiencën e tyre.
Blendi Fevziu: Pse u zgjodh ky dizajn dhe jo ai modern që ishte më para?
Imami Gazment Teqja: Kjo është histori krejt tjetër nga ajo e xhamisë që do bëhej pas Pallatit të Kulturës. Ka qenë dëshira e kryeministrit që të bënte një xhami moderne, ajo nuk u realizua. Tani, kur u bë kërkesa, mesa di unë, kërkesën e ka bërë shteti shqiptar, pala shqiptare për nevojat e Komunitetit Mysliman ja ka bërë Turqisë dhe Turqia se ne e kishim të pamundur me këto vlera që kap xhamia. Edhe shteti shqiptar ka kontributin e vet sepse një pjesë të pronës e ka shpronësuar rreth 10 mln Euro mesa kujtoj unë. Nuk plotësohej me tokën që kishim ne.
Blendi Fevziu: Sa ka shkuar vlera e xhamisë?
Imami Gazment Teqja: Rreth 35 milonë Euro.
Blendi Fevziu: Pse duhet një bord administrimi ku të ketë edhe përfaqësues nga Turqia, edhe nga Shqipëria?
Imami Gazment Teqja: Bordi i menaxhimit ose fondacioni që do të menaxhojë xhaminë, shumica e bordit janë shqiptarë. Kreu i bordit jam unë. Ndërsa Turqia, si investitor nuk ka asgjë të keqe të na mbështesin edhe në eksperiencën e tyre dhe të kënaqen me punën që kanë bërë vetë. Nuk ka asnjëlloj problemi, ama vendimmarrjen dhe drejtimin e kemi ne. Drejtimi është shqiptar, patjetër që në bashkëpunim me ata, por drejtimi është shqiptar. Jemi shumicë. Që të mos ketë aludime dhe keqkuptime. Nuk jemi ndjerë mirë që para 2 ditësh padashje ose nga dashakeqësia nuk di të them, filloi një vepër kaq e madhe që më në fund arriti të ju vihej në dispozicion besimtarëve myslimanë, por jo vetëm, deshën që t’i humbnin shkëlqimin duke thënë jo “turk, jo kështu e jo ashtu”. Muhabete që nuk kanë lidhje dhe nuk kanë bazë.
/tvklan.al